Hyrja në Kodrën e Diellit, turizëm dimëror mes mbeturinave

Pamja e parë që i pret vizitorët në Kodrën e Diellit edhe këtë sezon dimëror nuk është bora apo pistat e skijimit, por grumbuj mbeturinash në hyrje të qendrës turistike. Qytetarë dhe turistë ankohen se kjo gjendje përsëritet çdo vit, pa përmirësime konkrete, ndërsa institucionet si zakonisht arsyetohen, shkruan Portalb.mk.

Mes premtimeve për zhvillim turistik dhe realitetit në terren, Kodra e Diellit vazhdon të përballet me kaos, menaxhim joefikas dhe neglizhencë institucionale.

Me fillimin e sezonit të skijimit, filloi edhe problemi i kamotshëm i mbeturinave. Përsëri në hyrje të qendrës turistike u krijua një ‘deponi’ plehrash.

Qytetarëve kjo pamje u ka shkaktuar revoltë, për çka ata ankohen.

“Katastrofë, japin premtime të mëdha kurse nuk janë në gjendje mbeturinat t’i pastrojmë, nuk mund të presim diçka më shumë”, tha një qytetar.

“Kjo gjendje është çdo vit, nuk ndryshon diçka”, tha një qytetare.

“Edhe këtë vit është kaos, rrugët në hall, s’ka parkingje, mbeturinat nuk grumbullohen rregullisht”, tha një qytetar.

Këshilltari komunal nga AKI-ja, Berat Murati thekson se gjendja me mbeturinat në Kodrën e Diellit është alarmante dhe e papranueshme për një qendër turistike që duhet të jetë krenari e vendit.

“ Mungesa e menaxhimit të rregullt, mosvendosja e mjaftueshme e kontejnerëve dhe neglizhenca institucionale po e dëmtojnë rëndë mjedisin dhe imazhin e kësaj zone. Kërkojmë veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse: pastrim urgjent, plan të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave dhe përgjegjësi konkrete. Kodra e Diellit meriton kujdes, jo harresë”, tha Murati.

Komuna e Tetovës thekson se pastrimi i mbeturinave është përgjegjësi e ndërmarrjes ‘Saubermacher’.

“Është përgjegjësi e kompanisë mirëmbajtja e mbeturinave. Ne dje kemi kontaktuar me kompaninë dhe kemi kërkuar që të reagohet në Kodrën e Diellit, pra të bëhet pastrimi i hapësirës në hyrje të Kodrës së Diellit”, tha Albion Alili, zëdhënës i komunës.

Në ndërkohë, nga ndërmarrja ‘Saubermacher’ arsyetohen duke thënë se mbeturinat komunale në Kodrën e Diellit mblidhen rregullisht, në përputhje me dinamikën e parashikuar në planin operativ, ku orari i rregullt është çdo të premte dhe çdo të hënë pasdite.

“Gjatë periudhës dimërore-pushimeve të dimrit, është paraparë që mbeturinat të mblidhen çdo ditë pas orës 15:00, ndërsa gjatë fundjavave dhe festave shtetërore mbledhja/grumbullimi kryhet pas orës 19:00”, thanë nga Saubermacher.

Ata shtojnë se duhet të merren parasysh kushtet klimatike dhe ndalesat e trafikut të vendosura nga institucionet kompetente.

“Më 11.01.2026, për shkak të reshjeve të borës dhe rrugëve jo të qasshme, kishte ndalim qarkullimi për kamionët dhe nuk kishte qasje deri te lokacioni. Më 12.01.2026, kamioni mund të arrinte në lokacion vetëm pas orës 15:00.Duke pasur parasysh situatën e krijuar, rreth orës 13:00 të së njëjtës ditë, ekipi ynë me kamionin special u përpoq të ngjitej, por për shkak të trafikut të rënduar dhe rrugës së pakalueshme për në vend, policia ndaloi ekipin dhe kamionin dhe e udhëzoi të parkojë në lokacionin e ndërmarrjes Rrugët e Maqedonisë, ku u ekipi qëndroi për më shumë se 2 orë në vend”, thonë nga Saubermacher.

Më tej shtuan se, ekipi i Saubermacher Tetovë arriti në lokacion pas orës 15:00, dhe të gjithë kontejnerët u zbrazën, respektivisht lokacioni u pastrua plotësisht.

“Theksojmë se gjatë periudhës dimërore mbeturinat mblidhen çdo ditë pas orës 15:00, ndërsa gjatë fundjavave dhe festave pas orës 19:00”, thanë nga Saubermacher.

Sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit filloi më 11 janar, pa ndonjë organizim të veçantë të hapjes siç bëhej viteve të kaluara, këtë vit janë rritur çmimet e ski-biletave ditore dhe sezonale.

Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.

Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Pavarësisht se autoritetet me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.