U rritën çmimet e biletave në Kodrën e Diellit, bileta sezonale nuk vlen për skijim nate (Infografik)
Sezoni i sikijimit 2025/26 në Kodrën e Diellit filloi me rritje të çmimeve të ski-biletave ditore dhe sezonale. Në ndërkohë, në biletën sezonale nuk përfshihet skijimi i natës, për çka skijatorët ankohen, ndërsa sipas udhëheqësisë së ski qendrës skijimi i natës kërkon angazhim dhe harxhime shtesë, shkruan Portalb.mk.
Çmimet e ski biletave ditore në Kodrën e Diellit për këtë sezon janë rritur për nga 100 denarë në krahasim me tre sezonet e kaluara.
Në ilustrimin e mëposhtëm mund të shihen në detaje se sa kushtojnë dhe sa kanë kushtuar biletat veçmas për secilën grupmoshë.

Në ndërkohë rritje më të madhe në krahasim me sezonin e kaluar ka te biletat sezonale të skijimit.
Vetëm te grupmosha mbi 63 vjeç ka rënie të çmimit prej dy mijë denarë.
Ski Qendra njoftoi se nëse ofrojnë gjithsej 25 ditë skijimi gjatë sezonit, atëherë biletat vjetore nuk do të vlejnë për sezonin e ardhshëm.
Në ilustrimin e mëposhtëm mund të shihen çmimet e biletave sezonale për sezonin e kaluar dhe atë aktual.

Rritja e çmimeve nuk është pritur mirë nga skijatorët. Disa me të cilët bisedoi Portalb.mk u shprehën të revoltuar pasi bileta sezonale nuk vlen për skijimin e natës.
“Janë rritur çmimet e biletave ndërsa biletat sezonale nuk pranohen për skijim nate, duhet të blihen të tjera. Ku është logjika atëherë nëse blihet bileta sezonale dhe pastaj të paguhet shtesë për skijimin e natës”, tha një skjiator.
“Vitet e kaluara dita e parë ka qenë pa pagesë, këtë vit ishte me pagesë. Sipas tyre edhe vjet nuk ka vlejtur bileta sezonale për skijim nate por kanë bërë përjashtim. Këta nëse thirren në atë se nuk vlen natën, nuk kanë pasur paralajmërim gjatë blerjes, kjo informatë ka dalë pasi janë shitur. Kanë mundur të thonë shembull nëse paguan 50 euro ekstra do të vlejë edhe për skijim nate”, tha një skijator tjetër.
Për këto çështje biseduam me drejtorin e ski qendrës ‘Kodra e Diellit’, Abdylgani Alijin. Ai thotë se çmimet janë rritur 100 denarë edhe atë pasi më shumë se 5 vjet nuk ka pasur rritje.
“Kurse ashensorët funksionojnë me rrymë, kurse çmimi i rrymës rritet çdo vit dhe për këtë ne kemi si drejtori organ mbikëqyrës që i rishikon të gjitha sendet kompanisë dhe vendos së bashku”, tha Aliji.
Lidhur me atë se pse nuk vlen bileta sezonale për skijim nate, Aliji tha se skijimi i natës kërkon angazhim dhe harxhime shtesë.
“Bileta sezonale nuk vlen për shkak se ne si drejtori për të organizuar skijim nate është orar plus edhe për punëtorët edhe rrymë, trefish edhe organizim ku të gjitha sendet paguhet dyfish më tepër. Asnjë ski qendër nuk ka skijim nate me biletë sezonale, çdoku shkon ekstra. Edhe me çmimet ne jemi më të lirë në të gjithë rajonin”, tha Aliji.
Për shkak të erërave të forta, sot ski ashensori “Gjashtëulësja”, ski ashensori “Dyulësja” dhe teleferiku (Ceripashina) nuk do të jenë në funksion.
“Në momentin që kushtet atmosferike të stabilizohen, ato do të lëshohen përsëri në funksion”, informuan nga qendra e skjimit.
Sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit filloi dje, pa ndonjë organizim të veçantë të hapjes siç bëhej viteve të kaluara.
- LEXO: Filloi sezoni në Kodrën e Diellit, një ski ashensor jashtë funksionit për shkak të erës së fuqishme
Sezoni i kaluar i skijimit filloi më 13 dhjetor 2024 dhe mbaroi më 12 mars 2025.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Pavarësisht se autoritetet me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.
- LEXO: Ministri i Ekonomisë dikur protestonte kundër shkatërrimit të Kodrës së Diellit, nga pushteti nuk jep detaje për investimet e paralajmëruara
- LEXO: Mickoski foli për ndërtimet pa leje dhe investimet e reja në Kodrën e Diellit
- LEXO: Në Kodrën e Diellit pritet të fillojë edhe një sezon i zymtë, nuk ka investime të huaja siç u paralajmëruan