Pilotët e pensionuar të “Air Tractor” u angazhuan përsëri për shuarjen e zjarreve në RMV
Dy pilotët e pensionuar të “airtractor”-ëve janë përsëri në dispozicion të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) që nga dje, pasi nënshkruan marrëveshje angazhimi me institucionin, transmeton Portalb.mk.
DMSh thotë se me angazhimin e pilotëve, avionët e Drejtorisë do të jenë funksionalë për shuarjen e zjarreve në ambient të hapur.
“Drejtori i përkohshëm i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, dje nënshkroi marrëveshje angazhimi për dy pilotët e pensionuar të avionëve zjarrfikës “airtractor”, Stoje Arsovski dhe Vasko Mihalçev”, informoi sot DMSH.
Drejtoria thotë gjithashtu se avioni i dytë i DMSH-së pritet të kthehet nga servisimi i rregullt në Austri në një kohë të shkurtër.
Përndryshe, dy pilotët e pensionuar të “airtractor”-ëve ishin angazhuar për të ndërhyrë në shuarjen e zjarreve edhe vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, Angelov, i cili atëherë ishte drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), tha se vendi kishte katër helikopterë funksionalë për shuarjen e zjarreve, tre prej të cilëve ishin në kuadër të Ministrisë së Brendshme dhe një i Ushtrisë, si dhe tre “traktorë” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim – DZS, por ato ishin jofunksionale. Arsyeja për këtë ishte se dy pilotë ishin pensionuar, dhe kishte vetëm një pilot aktiv, dhe në një situatë të tillë aeroplanëve nuk u lejohej të fluturonin.
Lidhur me zjarret, QMK informoi sot se gjatë ditës së djeshme kishte gjithsej 20 zjarre në hapësirë të hapur në territorin e vendit, dy prej të cilave janë ende aktive.