Lënda për tragjedinë e Koçanit me dy automjete u transportua në Shkup, Gjykata Penale do të vlerësojë aktakuzat

Rasti i zjarrit në diskotekën “Puls” po transportohet nga Gjykata Themelore në Koçan në Gjykatën Penale në Shkup me dy makina dhe me shoqërim policor, transmeton Portalb.mk.

“Nga Gjykata Themelore në Koçan, rasti, së bashku me të gjitha dokumentet dhe provat e bashkangjitura, po dërgohet në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme. Atje do t’u dorëzohet shërbimeve për procedura të mëtejshme”, tha kryetari i Gjykatës së Apelit në Shtip, Toni Delev.

Ai thekson se bëhet fjalë për një sasi të madhe materiali, dhe provat janë vendosur në dy automjete.

“Pastaj do të vendosë Gjykata Themelore Penale në Shkup. Do të vlerësohet aktakuza, dhe me shumë mundësi do të ketë kundërshtime. E gjithë procedura do të zhvillohet siç përcaktohet me ligj”, thotë Delev.

Procedura hetimore për rastin “Puls” përfshinte të gjithë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Koçan, një nga Vinica, tre gjyqtarë nga Gjykata Themelore në Shtip dhe të gjithë gjyqtarët nga Gjykata e Apelit në Shtip, të cilët vendosën për procedurat e apelit dhe vendimet për paraburgim.

Kujtojmë se, zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.