Një deklaratë e trilluar i atribuohet presidentit të Burkina Fasos

Presidenti i Burkina Fasos, Ibrahim Traore, synon projekte për energji bërthamore civile, jo për bomba. Të gjitha deklaratat dhe marrëveshjet tregojnë për bashkëpunim paqësor në prodhimin e energjisë atomike, dhe nuk përmendet asnjëherë armë bërthamore, transmeton Vërtetmatësi.

Po shqyrtojmë një postim në Facebook ku është ndarë një fotografi e presidentit të Burkina Fasos, Ibrahim Traore, me mbishkrimin:

Si mund të bombardosh një vend tjetër dhe ta quash akt paqësor? Në këtë botë ku jetojmë, kuptuam se duhet të kesh bomba bërthamore për t’u respektuar, dhe së shpejti do të kemi edhe ne për vetëmbrojtje. – Ibrahim Traore.

Asnjë media ndërkombëtare relevante nuk ka transmetuar ndonjë deklaratë të Ibrahim Traore-së ku ai thotë se Burkina Faso do të ketë së shpejti bomba bërthamore për t’u respektuar dhe për vetëmbrojtje. Një deklaratë e tillë ai nuk e ka dhënë kurrë. Përveç kësaj, kohët e fundit Traore është bërë “yll” i video materialeve të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale, në të cilat shpërndahen mesazhe anti-perëndimore që ai nuk i ka thënë kurrë. Interneti kohët e fundit është mbushur me video materiale të tilla me qëllim përhapjen e propagandës anti-perëndimore.

Verifikuesit e fakteve të “Fact Check Africa” në rrjetin social “X” e kanë vlerësuar këtë deklaratë të atribuar Traore-së si “dezinformatë e qëllimshme”.

Presidenti Ibrahim Traore kurrë nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për bomba bërthamore, shkruajnë ata.


Për më tepër, “Grok”, chat-boti me inteligjencë artificiale i zhvilluar nga kompania xAI e Elon Musk, jep rezultatin se kjo është një deklaratë e pavërtetë që i atribuhet Traore-së.

Në vitin 2023, Traore u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe kërkoi ndihmë për ndërtimin e një centrale bërthamore për përdorim civil — jo për armë — për prodhimin e energjisë elektrike dhe sigurinë rajonale të energjisë. Ndërtimi i centrales bërthamore synon të rrisë furnizimin me energji elektrike në përputhje me qëllimet e Burkina Fasos për të arritur 95% akses në energji elektrike në zonat urbane dhe 50% në zonat rurale deri në vitin 2030, raporton “BBC”.

Në tetor 2023, Ministria e Energjisë e Burkina Fasos nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me “Rosatom” (agjencia shtetërore ruse për energji bërthamore) ekskluzivisht për energji bërthamore civile.

Agjencia shtetërore ruse për energji atomike “Rosatom” në një komunikatë theksoi se “memorandumi është dokumenti i parë ndërmjet Rusisë dhe Burkina Fasos në fushën e përdorimit paqësor të energjisë atomike”. Në të thuhet se marrëveshja vendosi bazat për bashkëpunim në fusha si përdorimi i energjisë bërthamore në industrinë, bujqësinë dhe mjekësinë.

Gjithashtu, verifikimi i fakteve nga maji i vitit 2025 hodhi poshtë në mënyrë të qartë pretendimet se Traore ka kërcënuar Nigerinë apo ka mburrur me sulme ushtarake bërthamore – nuk ka asnjë dëshmi që ai të ketë bërë kërcënime të tilla.

Traore synon projekte për energji bërthamore civile, jo për bomba. Të gjitha deklaratat dhe marrëveshjet tregojnë për bashkëpunim paqësor në prodhimin e energjisë atomike – në asnjë rast nuk përmendet armë bërthamore. Burimet kryesore të lajmeve nuk kanë raportuar për këtë deklaratë të trilluar të Traore-së se “Burkina Faso do të ketë bomba bërthamore”.

Duke u bazuar në të gjitha këto fakte, postimi që po e shqyrtojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.