Për një ditë, në RMV u raportuan 23 zjarre

Dje janë raportuar 23 zjarre në Maqedoninë e Veriut ndërsa dy prej të cilave janë raportuar mëngjesin e sotëm, kështu bëri të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit, mëngjesin e sotëm në fshatin Kërplla të Komunës së Kriva Pallankës ka rënë zjarr, ndërsa në vendin e zjarrit janë dërguar ekip prej 3 zjarrfikësve dhe një veturë zjarrfikëse, ku më pas janë bashkuar edhe punëtorët nga NP “Pyjet Kombëtare” – Osogovë.

Në Komunën e Prilepit edhe sot është aktiv zjarri nga dje pasi është përhapur shpejtë, ku kanë ndërhyrë tre avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Sipas QMK-së, zjarret kanë djegur pyje të degraduar me kërcell të ulët, bar të thatë dhe mbeturina.

Sipas njoftimit, më së shumti zjarre janë regjistruar në Kumanovë – pesë, në Prilep – dy, në Shkup – tre, dhe nga një në Vinicë, Shtip, Tetovë, Gostivar, Probishtip, Ohër, Makedonski Brod, Demir Hisar, Dibër dhe Likovë.

Në Kumanovë janë shuar pesë zjarre, dy në Prilep dhe nga një në Saraj, Butel, Aerodrum, Demir Hisar, Ohër, Makedonski Brod, Dibër, Vinicë, Shtip, Probishtip, Tetovë, Gostivar dhe Likovë.