Ndryshim të Ligjit për Avokatin e Popullit, Transparency International Maqedoni me kritika dhe rekomandime

Ndryshimi i Ligjit për Avokatin e Popullit, burime më të mëdha njerëzore dhe financiare për zyrën e Avokatit të Popullit, dispozitë ligjore nga Qeveria dhe Kuvendi për ndjekjen e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe sanksione për mospërcjelljen e rasteve. Këto janë tre rekomandimet që Transparency International Maqedoni ka në lidhje me punën dhe funksionimin e Avokatit të Popullit në RVM, transmeton Portalb.mk.

Transparency International Maqedoni, këto tre rekomandime i kumtoi pasi është duke përgatitur një raport të ri i cili do të publikohet gjatë tetorit të këtij viti, i cili pason raportin e vitit 2016 “Sistemi i integritetit kombëtar i Maqedonisë” ku në kuadër të këtij raporti ishte analizuar edhe puna e Avokatit të Popullit, ku më pas është analizuar edhe përmbushja e rekomandimeve.

Nga atje thonë se kërkohen ndryshime shtesë në rregulloren ligjore dhe përputhshmëri me parimet e Parisit për të Drejtat e Njeriut që Avokati i Popullit të merr statusin e Institucionit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Buxheti në vitet e kaluara është rritur në mënyrë të parëndësishme dhe nuk pasqyron nevojat reale të Zyrës së Avokatit të Popullit. Nevojiten fonde shtesë për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, por do të angazhohej edhe staf njerëzor shtesë. Deri në vitin 2022, janë plotësuar vetëm 83 vende pune nga gjithsej 183 të planifikuara”, informuan nga Transparency International Maqedoni.

Nga atje përfunduan se nevojitet angazhim dhe komunikim shtesë ndërmjet institucioneve për të përmirësuar zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.