Për momentin në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë Air Traktor kundër zjarrit, alarmoi Angellovi
Drejtori i ri i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, vlerësoi se DMSH-ja një kohë të gjatë është në gjendje të rëndë, dhe se përveç mungesës së pilotëve dhe kuadrove të trajnuar, vazhdojnë problemet me servisimin e aeroplanëve për shuarje të zjarreve. Angellov thotë se në një të ardhme të afërt do të mënjanohen problemet dhe se verën do ta presin të përgatitur, kur zakonisht ndodhin zjarret, raportoi TV21.
“Për momentin, në vend nuk ka asnjë traktor ajror funksional, por jam optimist se së shpejti do t’i kemi tre traktorët ajrorë së bashku me ekuipazhet, pra pilotët. Ata aktualisht janë duke u servisuar, do të thosha se ka disa probleme, por besoj se ato do të zgjidhen shpejt dhe do të kthehen në vend në kohën e duhur në pritje të zjarreve të mundshme”, tha Stojançe Angellov, drejtor i DMSH-së.
Tashmë një kohë të gjatë planifikohet të bashkohen të dy institucionet QMK dhe DMSH në një. Angellov nuk deshi shumë të flasë, tha se në qeveri është formuar një grup pune për transformimin e të gjithë sistemit për menaxhim me kriza.
Ndryshe, Qeveria e emëroi Stojançe Angellovin në këtë funksion në vend të Xhevat Selamit nga koalicioni “VLEN”, i cili është në paraburgim shtëpiak në lidhje me hetimet rreth zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona.
Në vend të Angellovit, drejtor i ri te Qendra për Menaxhimi ne Krizave do të jetë kuadri i VLEN-it, Muhamed Aliu.