Parlamenti francez kaloi të martën një projektligj për të legalizuar vdekjen e asistuar duke i hapur rrugën vendosjes së eutanazizë edhe në Francë. Deputetët e kaluan leximin e parë të projektligjit me 305 vota pro dhe 199 kundër. Ata mbështetën gjithashtu unanimisht edhe një ligj për garantimin e të drejtës në kujdesin paliativ, raporton Klan.
Ky është vetëm fillimi i procesit legjislativ pasi drafti duhet të kalojë në Senat dhe më pas të rikthehet në parlament për lexim të dytë. Për këtë arsye nuk pritet që të hyjë në fuqi para vitit 2026.
Sipas qeverisë, ligji i ri synon të jetë “një përgjigje etike ndaj nevojës për të mbështetur personat që vuajnë”, duke balancuar respektin për jetën me autonominë individuale dhe duke insistuar se kjo nuk është “një e drejtë e re apo liri”.
Projektligji parashikon që një ekip mjekësor të vlerësojë nëse një pacient mund të përdorë një substancë vdekjeprurëse, nëse ka shprehur vullnetin e qartë për ta bërë këtë. Substanca mund të merret nga vetë pacienti ose të administrohet nga një mjek apo infermier nëse pacienti nuk është në gjendje fizike ta bëjë vetë.
Kriteret janë të rrepta: pacienti duhet të jetë mbi 18 vjeç, të ketë shtetësi ose leje qëndrimi franceze dhe të vuajë nga një sëmundje e pashërueshme, e rëndë dhe në fazë të avancuar, që shkakton vuajtje të padurueshme dhe nuk ka zgjidhje mjekësore. Ai gjithashtu duhet të jetë në gjendje të shprehë vullnetin e tij në mënyrë të vetëdijshme dhe të informuar.
Debati rreth këtij ligji ka qenë i nxehtë, sidomos në një vend me traditë katolike si Franca. Megjithatë, shumica e popullsisë mbështet të drejtën për vdekjen e asistuar.
Aktualisht, Franca lejon vetëm forma pasive të ndërprerjes së jetës, si sedacioni i thellë dhe heqja e trajtimit mjekësor. Pacientët që kërkojnë ndihmë aktive për të vdekur shpesh udhëtojnë në vende si Zvicra apo Belgjika, ku këto procedura janë të ligjshme.
Në Evropë, vende si Holanda, Belgjika, Spanja dhe Austria e kanë legalizuar ndihmën për vdekjen nën kushte të rrepta. Franca tani duket se është në rrugës për t’u bashkuar me to.