Për kronikanin e letërsisë shqipe

Emrin e Akademik Ali Aliut e kam hasur fillimisht në librat e leximit për klasët e larta të shkollës fillore, të cilët do të doja të jenë edhe në çantën e nipit tim. E them këtë, sepse nga vitet e ’80-ta e këndej, nxënësit shqiptarë në RMV nuk kanë pasur tekste më cilësore për nxënien e letërsisë, se ato të profesor Aliut.

Më vonë nisa t’i lexoj librat e tij me studime dhe kritika letrare, kurse nga fillimi i viteve të ’90-ta, kur, për shkaqe të njohura, Tetova u bë qyteti ku organizoheshin aktivitete të nduarnduarshme kulturore, me pjesëmarrje letrarësh, gjuhëtarësh dhe shkencëtarësh të shquar të mbarë viseve shqiptare, takimet e shpeshta me të na afruan dhe na bënë miq.

Prej Profesorit kam marë mësime shumë të vlefshme. Ai posedon virtyte të larta morale dhe ka prirje për të bërë punë të mira. Arma e tij është fuqia e fjalës dhe e bindjes.

Është njeri serioz me qëndrime të forta parimore, që gjërat i merr në mënyrë të qetë dhe të shtruar. Është i ditur, i vyer, i matur, i urtë, i qetë, shpirtgjerë,  dhe sillet mirë me të gjithë. Nuk ngacmon, nuk sjell ngatërresa dhe nuk i bie në qafë askujt. Prej tij nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë fjalë të ligë për dikë. Këtë nuk e bën as për ata që e ndoqën si hije me vite të tëra, sepse e di se kë gjuajnë vetëtimat. Ai nuk flet prapa shpinës së askujt, nuk gënjenë, nuk përgojon, nuk shanë dhe nuk e njeh gjuhën kërcënuese, shpifëse, shantazhuese, prapashpinëse.

Është personaliteti më i palodhshëm që njoh, lexuesi më i pasionuar i letërsisë, prezent në çdo aktivitet të rëndësishëm kulturor, gjithandej ku flitet dhe shkruhet shqip. Ai është studiuesi dhe kritiku që ka shkruar mijëra faqe librash të veçantë dhe të kërkuar nga lexuesit. Jo rastësisht emri i Tij gëzon autoritet si njeri, pedagog, shkrimtar, studiues, kritik dhe veprimtar.

Ndër veprat më të arrira të Ali Aliut është “Don Kishoti shqiptar”, për të cilën kanë thënë e kanë shkruar fjalë miradije personalitete dhe specialistë të shquar të studimeve letrare shqiptare dhe jo vetëm. Ata e konsiderojnë me të drejtë vepër të rrallë dhe monumentale me shumë tipare të veçanta në krahasim me studimet tjera.

Se për ç’vepër është fjala e sqaron më së miri vetë autori, i cili, nëpërmjet një introdukte të ngjashme me ato të Fan Nolit, e jep thelbin e studimit të tij: “Don Kishoti është hero gati i çdo populli në botë. Pothuajse dhe gjithë autorët shqiptarë, kishin mbetur peng të një ‘donkishotizmi’ specifik fare pak të njohur nga popujt tjerë. Përpjekja për të bërë pak më shumë për historinë e tyre, duke besuar në mundësinë e pafund të imagjinatës dhe mundësive polivalente, poliforme gjuhësore, prej këtyre autorëve do të krijoj ’donkishotistët’ e papajtueshëm, të cilët në periudha të gjera e të gjata kohore do t’ia dorëzojnë stafetën ‘donkishoteskë’njëri-tjetrit, duke besuar se jetën e tyre e kishin lidhur  për kauzën e madhe: mbrojtjen e identitetit gjuhësor të popullit të tyre”.

Pra, objekt i studimit të “Don Kishoti shqiptar” janë copëzat e donkishotizmit, të cilat autori i zbulon në librat e ajkës së krijuesve shqiptarë, duke gjurmuar gjërat që s’i kanë gjurmuar të tjerët. Të paktën jo si i gjurmon ai.
Me këtë vepër atipike, me të cilën ka arritur kulmin e sukseseve si studiues dhe kritik letrar, Ai ofron një lexim ndryshe të letërsisë, leximin e një bashkautori të aftë, që me imagjinatën e tij plotëson edhe shtresat më të përfundshme të veprave letrare.

Për shumëkë, Ali Aliu është kronikani më i devotshëm i vlerave letrare shqiptare, që nga zanafilla e gjer në ditët e sotme. Ai nuk e ndau trungun e letërsisë shqipe në degë e në krande, siç tentojnë ta ndajnë disa të tjerë, ndaj shkroi dhe vazhdon të shkruajë me të njëjtin përkushtim për letërsinë e vetme shqipe, pavarësisht kufijve artificialë që ndajnë trojet tona. Ai shkroi me respekt edhe për veprat e autorëve të ekskomunikuar. Nuk shkeli në dërrasën e hatrit të remë shqiptar, të cilësuar prej kohësh më i rëndë se topuzi dhe, që është më e rëndësishme: nuk rrëshqiti dhe nuk la pas vetes shkrime për të cilat sot do të ndihej i turpëruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.