Sot fillon regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të fillojë sot, e premte, dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj në gjithë vendin. Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës, transmeton REL.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha në uebsajtin e saj se nga e premtja e 5 prillit deri më 10 prill, punonjësit e saj do t’i vizitojnë zonat e banimit dhe banesat, apo shtëpitë e qytetarëve më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese.

Gjatë kësaj periudhe do të kryhen intervista me ndonjë ekonomi familjare.

Regjistrimi i përgjithshëm pritet të fillojë më 10 prill, sipas saj.

ASK-ja tha s të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtarë i moshës madhore, mbi 16 vjeç, nëse personat janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i japë të dhënat.

Ndërkohë, në ditën e fillimit të regjistrimit janë shprehur kritika gjatë një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarëve të komunave, se procesi nuk është përgatitur siç duhet.

Madje, në disa komuna, siç është Prizreni, regjistrimi nuk do të fillojë para të hënës për shkak nevojës së përgatitjeve shtesë, thanë zyrtarë të kësaj komune.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të përfshijë edhe një pyetësor, cili do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha se mbikëqyrësit dhe regjistruesit e saj do punojnë edhe në fundjavë, duke shtuar se shumica e familjarëve gjatë këtyre ditëve janë në shtëpi.

Në regjistrim e popullsisë do të angazhohen rreth 3.500 regjistrues dhe 891 mbikëqyrës, sipas ASK-së.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Ndërkohë, Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Sipas regjistrimit më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.