Për herë të parë që nga futja në fuqi e “Qytetit të Sigurt”, dje nuk u regjistrua asnjë kalim me semafor të kuq
Për herë të parë që nga fillimi i funksionimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, dje nuk u regjistrua asnjë shkelje për kalimin e semaforit të kuq, raportoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dje nga “Qyteti i Sigurt” u regjistruan gjithsej 526 shkelje të trafikut, nga të cilat 504 ishin për drejtimin e një automjeti me shpejtësi që tejkalon limitin e lejuar të shpejtësisë. 22 shkelje u regjistruan gjithashtu për drejtim me patentë të skaduar.
“Dje u vendosën gjithashtu 17 ndalime drejtimi, të gjitha për tejkalim shpejtësie. Nga këto, 13 u vendosën për tejkalim shpejtësie në zonë të populluar, dhe katër për tejkalim të limitit të shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë sipas limitit të vetë automjetit”, tha Ministria e Punëve të Brendshme, duke shtuar se nga numri i përgjithshëm i shkeljeve të regjistruara, 84 u kryen nga shoferë që drejtonin automjet me targa të huaja.
Brenda tolerancës së lejuar gjatë matjes së shpejtësisë, sistemi toleroi dje gjithsej 3.336 shoferë.
Kujtojmë se me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, ky sistem në RMV hyri në fuqi më 1 shkurt 2026. Në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10 kurse ka plane të vendoset edhe në Strugë dhe Ohër. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare duke cekur se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit.
- LEXO: 4.490 shkelje në trafik për një javë përmes “Qytetit të Sigurt”
- LEXO: Në dy qytete të tjera po përgatitet futja e sistemit “Qyteti i Sigurt”, kur do të fillojnë punët?
- LEXO: Ironia në Kumanovë: do të dënohesh nga kamerat e “Safe City” për gabimet e semaforëve që s’punojnë (VIDEO)
- LEXO: Udhëkryq problematik: ‘Qyteti i Sigurt’ në Tetovë dënon edhe nëse kalon semaforin në të gjelbër, gjobat mund të rishikohen në polici (Video)
- LEXO: Qyteti i Sigurt’ me shumë mangësi, qytetarët kërkojnë ndryshime: Ide e mirë, zbatimi problematik