Është zbardhur dhuna e djeshme para ndeshjes së basketbollit në Shkup, kallëzim penal me procedurë të shpejtë
SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, paragrafët 4 dhe 6 të Kodit Penal, kundër personit me inicialet P.A., lidhur me dhunën e djeshme para Qendrës Sportive “Jane Sandanski” në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Gjatë incidentit, një grup prej rreth 30 anëtarësh të grupit të tifozëve “Family” sulmuan fizikisht rreth 50 tifozë të KB “Rabotniçki”, të cilët po prisnin të hynin në ndeshjen sportive.
Si pasojë, një 16-vjeçar nga Shkupi ka pësuar lëndime të rënda trupore.
P.A. është privuar nga liria, ndërsa me udhëzime të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, ndaj tij është ngritur kallëzim penal me procedurë të shpejtë.
Në lidhje me dhunën, zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë shoqëruar në stacion policor edhe M.M. (18) dhe D.P. (18), të dy nga Shkupi.
Ndërkohë, SPB Shkup po vazhdon të thërrasë persona të tjerë për të cilët do të konstatohet se kanë marrë pjesë në incidentin e dhunshëm, ndërsa ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
MPB-ja u bën thirrje grupeve të tifozëve për sjellje korrekte dhe sportive, duke theksuar se policia nuk do të tolerojë asnjë akt dhune.
Përleshja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur disa persona, anëtarë të grupit të tifozëve “Family”, janë drejtuar për nga salla sportive “Jane Sandanski”, ku paraprakisht ndodhej një grup prej rreth 50 tifozësh të KB “Rabotniçki”, të cilët prisnin të hynin në ndeshjen sportive.
Në një moment, një grup më i vogël i tifozëve të “Family”, që po lëvizte nga rruga “Vasko Karangeleski”, ka ndezur mjete piroteknike dhe i është afruar grupit tjetër. Më pas, me përdorimin e forcës fizike, kanë sulmuar tifozët e “Rabotniçkit”, pas së cilës janë larguar në drejtime të ndryshme.