Zaev ngriti padi për shpifje kundër deputetit Brane Petrushevski dhe kardiokirurgut Zhan Mitrev

Ish-kryeministri Zoran Zaev ka ngritur padi për shpifje kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së Brane Petrushevski dhe Zhan Mitrev, kardiolog dhe pronar i klinikës private me të njëjtin emër në Shkup. Paditë janë ngritur në Gjykatën Themelore të Strumicës dhe Zaev kërkon përcaktimin e përgjegjësisë dhe dëmshpërblimit në total prej një milion denarësh – 500.000 denarë nga secili rast. Kompensimi, siç njoftoi ish-kryeministri në një postim në Facebook, do t’u dhurohet fëmijëve jetimë dhe personave me nevoja të veçanta, transmeton Portalb.mk.

“Janë ngritur padi kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrev për shpifje dhe fyerje të nderit dhe reputacionit. Nuk ka dyshim se të dy do të provohet se gënjejnë. Kompensimi nga paditë e fituara do t’u shkojë fëmijëve jetimë dhe personave me nevoja të veçanta”, shkroi Zaev në postimin në Facebook.

Sipas pretendimeve në padinë e ngritur kundër Brane Petrushevskit, arsyeja për procedurat gjyqësore janë deklaratat e deputetit të 7 shkurtit të këtij viti, në të cilat ai akuzon Zoran Zaevin se është i lidhur me 27 ton drogë të sekuestruar në vend, duke pretenduar se ish-kryeministri është pjesë e një karteli droge në Strumicë dhe se licencat për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore gjatë qeverisjes së LSDM-së u dhanë bazuar në afërsinë me partinë në pushtet.

Nga ana tjetër, arsyeja e padisë kundër kirurgut kardiak Zhan Mitrev janë pretendimet që mjeku bëri së fundmi në një intervistë me televizionin Alfa – se ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i shëndetësisë Venko Filipçe u përpoqën ta detyronin t’u shiste aksionet e tij të pronësisë në klinikë.

Zaev i vlerësoi deklaratat e Petrushevskit si trillime të llojit më të ulët, qëllimi i të cilave, sipas tij, është të shkatërrojnë nderin dhe reputacionin e tij. Ai gjithashtu hodhi poshtë plotësisht pretendimet e Zhan Mitrevit se kishte kërkuar ndonjëherë pronësinë e klinikës private ose se ishte i interesuar për një gjë të tillë.