Pas aksionit policor në Universitetin “Goce Dellçev”, Rektorati paralajmëroi bashkëpunim të plotë me institucionet
Pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se zyrtarët policorë po kryejnë bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e një drejtuesi të sektorit të informatikës në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, ka reaguar edhe Rektorati i universitetit, transmeton Portalb.mk.
Në reagim, ndër të tjera, thuhet se Universiteti “Goce Dellçev” ofron bashkëpunim të plotë dhe të pakufizuar me MPB-në dhe Prokurorinë, me qëllim që rasti të zbardhet shpejt dhe tërësisht. Nga universiteti thonë se kanë tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimit të bashkësisë akademike, duke vlerësuar se raste të tilla kontribuojnë në sigurimin e studimeve më të mira, më cilësore dhe më objektive.
“UGD mbetet e përkushtuar ndaj vlerave themelore akademike, ndershmërisë dhe vërtetësisë, si dhe mbetet proaktive në drejtim të luftimit të dukurive devijante. Studentët tanë dhe arsimimi i tyre mbeten në qendër të të gjitha aktiviteteve tona. Procesi mësimor, obligimet akademike, puna shkencore-hulumtuese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me një sërë universitetesh të njohura evropiane vazhdojnë të jenë prioriteti ynë”, thonë nga Rektorati i UGD-së në Shtip.
Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjë dyshim që do të cenonte punën dhe vlerën e diplomave të mijëra studentëve të ndershëm, si dhe të punonjësve të universitetit.
Më herët gjatë ditës, nga MPB-ja njoftuan se po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të hetimit për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, dëmtim dhe hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik nga ana e një drejtuesi të sektorit të informatikës në UGD-në e Shtipit.
“Me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike e Shtipit, po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në lidhje me veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar’ dhe ‘dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik’, të dyshuara se janë kryer nga R.T., drejtues i sektorit të informatikës në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip. Pas përfundimit të plotë të aksionit, do ta informojmë publikun në mënyrë përkatëse”, njoftuan këtë mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Aksionin po e realizojnë zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, Sektori për Punë të Brendshme në Shtip, Sektori për Punë të Brendshme në Shkup dhe Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së.