Shoferët të kujdesshëm vetëm para kamerave të “Qytetit të Sigurt”, nga viti 2027 kamera të lëvizshme
Automjetet e policisë do të shndërrohen në kamera të lëvizshme për zbulimin e shkeljeve në trafik në vendet ku nuk ka sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndërsa kontrolli i ri pritet të fillojë në vitin 2027, paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, transmeton Portalb.mk.
Ai njoftoi sot se një numër i madh i automjeteve të MPB-së do të pajisen me pajisje që do të mundësojnë zbulimin e shkeljeve, para së gjithash të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar.
Sipas Toshkovskit, shoferët tashmë e dinë se ku janë vendosur kamerat e “Qytetit të Sigurt” dhe në ato vende i respektojnë rregullat, por në rrugët ku nuk ka kamera vazhdojnë të ngasin automjetet në mënyrë të papërgjegjshme.
“Tashmë i kemi mësuar se ku janë kamerat dhe e dimë se aty ku ka kamera ngasim ashtu siç duhet, ndërsa aty ku nuk ka kamera, sërish kemi një mënyrë tjetër të drejtimit të automjetit. Në të ardhmen, një numër i madh i automjeteve të policisë, përfshirë edhe ato civile, do të pajisen me pajisje përmes të cilave do të mund të konstatohen disa shkelje”, tha Toshkovski.
Ai sqaroi se shkeljet e regjistruara nga kamerat e lëvizshme do të regjistrohen drejtpërdrejt në sistemin elektronik, kështu që shoferët nuk do ta dinë paraprakisht se ku mund t’i nënshtrohen kontrollit.
Toshkovski nuk bëri të ditur se sa automjete të policisë do të pajisen me këto pajisje. Sipas paralajmërimit, kontrolli i lëvizshëm synon të rrisë disiplinën dhe sigurinë në trafik, veçanërisht në rrugët ku nuk janë vendosur kamera fikse.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.