Pavarësisht dallimeve mes aleatëve, diplomacia gjermane tregon interes të madh për Ballkanin 

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock vizitoi Sarajevën dhe Podgoricën. Gjatë takimit me zyrtarë të lartë të të dyja qeverive ajo theksoi nevojën për përshpejtimin e reformave të brendshme, sigurinë dhe anëtarësimin e shteteve në BE si domosdoshmëri kundër kërcënimeve të kohës.

Pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Gjermania është shteti tjetër kryesor dhe vendimtar për fatin e Ballkanit dhe në veçanti të Bosnjës dhe Kosovës. Popujt e Ballkanit e kanë parë  Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore si vendin të cilit mund t’i drejtohen për ndihmë ekonomike dhe mbështetje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore. Pavarësisht reagimeve ndërhyrjet gjermane janë parë të favorshme nga qeveritë e Ballkanit, pasi gjermanët kanë gëzuar një nivel të lartë besueshmërie në krahasim me diplomacitë tjera perëndimore. Historikisht, përfshirja e Gjermanisë në Ballkan filloi pas Kongresit të Berlinit (1878), duke shënuar një interesim të politikës së atëhershme gjermane ndaj Ballkanit që po çlirohej nga Perandoria Osmane.

Pas një fuqizimi të brendshëm ushtarak dhe ekonomik, Gjermania e ish-kancelarit Oto von Bismarak po përgatitej të merrte një përgjegjësi të re dhe më të madhe në Ballkan, duke i mbështetur njëkohësisht ambiciet politiko-ekonomike me ndërhyrje ushtarake. Andaj prania gjermane në Ballkan nuk është e tre dekadave të këtij shekulli. Rrënjët i gjejmë aty kah fundi i shekullit XIX, kur konkurrenca gjeopolitike midis fuqive evropiane dhe Rusisë u rrit në Ballkan. Duke qenë se interesat gjermane nuk ishin vetëm politike, por edhe ekonomike, për të zgjeruar tregtinë në Evropën Juglindore, Berlini zyrtar padyshim nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik me shtetet ballkanike ndërtoi lidhje të fuqishme që shkonin përtej marrëdhënieve të zakonshme diplomatike.

Qasja gjermane u ndje veçanërisht pas vitit 1990 kur politika e jashtme gjermane pësoi ndryshime të rëndësishme me fokus ndërmjetësimin diplomatik dhe mbështetjen ekonomike të rajonit të Ballkanit. Kancelarë dhe ministra të qeverisë gjermane kanë vizituar rajonin që nga rënia e ish-Jugosllavisë. Miliarda euro janë derdhur në buxhetet e qeverive të Ballkanit për të përmirësuar ekonomitë kombëtare. Procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Ekonomik dhe shumë projekte të tjera mbajnë të gjitha vulën e diplomacisë gjermane. Veprimet diplomatike gjermane tregojnë seriozitet dhe përkushtim afatgjatë gjerman ndaj rajonit.

Gjermania ka bërë punë konkrete për të integruar popujt e Ballkanit në BE. Ligjet e reja të emigracionit dhe punës pothuajse kanë bërë të mundur integrimin shumë më të shpejtë të shtresës aktive dhe vitale të banorëve që nisen drejt Gjermanisë. Për dekada, Gjermania ka treguar se është e interesuar që Ballkani të ketë një rritje reale ekonomike duke ndërmarrë nisma rajonale si ndihma prej 6 miliardë eurosh për disa vite për ekonomitë e rajonit. Diplomacia ekonomike dhe politike gjermane po tregon rezultate të jashtëzakonshme në Ballkan, andaj është e padiskutueshme se vizita e fundit e ministres gjermane Annalena Baerbock është nisur nga përvoja historike e Gjermanisë në Evropën Juglindore. Ministrja gjermane në mesazhet në Podgoricë dhe Sarajevë ishte e qartë. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shmangies së zonave gri. Ajo bëri disa deklarata të rëndësishme që ia vlen të përsëriten:

“Asnjë zonë gri nuk duhet toleruar në Evropë”; “Së bashku duhet të bëjmë gjithçka për t’u mbrojtur nga politika ruse e destabilizimit, dezinformimit dhe përmbysjes”; “Duhet ndihmuar vendet e Ballkanit që të forcojnë institucionet e tyre demokratike, të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre dhe t’u ofrojnë njerëzve perspektivë  ekonomike”; “Marrja e gjashtë shteteve të rajonit nën krahun tonë në rrugën e tyre drejt BE-së është një domosdoshmëri gjeopolitike në dritën e imperializmit të Rusisë”; “Aderimi i shteteve të Ballkanit në BE është një ‘domosdoshmëri gjeopolitike’ që do ta bëjë Evropën më të fortë përballë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

Në fund një gjë mbetet e paqartë nëse nismat gjermane do të sfidohen nga Franca dhe Britania e Madhe. Raportet e fundit që u shpërndanë në mediat evropiane tregonin një mosbesim të madh të britanikëve ndaj politikës gjermane në qasjen ndaj Ukrainës. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Berlinit kanë shumë rezerva për ndihmën që duhet t’i ofrohet Kievit. Historikisht kur fuqitë evropiane nuk kanë rënë dakord për strategjinë, dështimet kanë qenë të mëdha me pasoja për vetë evropianët dhe këtu nuk janë përjashtuar as fqinjtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.