Pas shumë zvarritjesh filluan punimet për qarkoren e Tetovës, pritet të zgjasin 15 muaj

Pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve, kanë filluar punimet për qarkoren e shumë përfolur të Tetovës e cila lidhet nga autostrada në pjesën e zonës industriale në Trebosh dhe del në Neproshten, transmeton Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për Portalb.mk informoi se ashtu siç na paralajmëruan javën e kaluar, vënia në punë e kontraktorit për ndërtimin e kryqëzimit Tetovë-Trebosh do të jetë më 1 shkurt (dje).

“Puna ka nisur dhe tashmë në terren po kryhen kontrolle dhe matjet gjeodezike, matjet gjeometrike të trasesë, si dhe punimet përgatitore”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.

Punimet janë të parapara të zgjasin 15 muaj.

Punimet për qarkoren e Tetovës. Foto: NP "Rrugët Shtetërore"
Punimet për qarkoren e Tetovës. Foto: NP “Rrugët Shtetërore”

Fillimi i punëve në terren për këtë qarkore disa herë nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi u përmend se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.

Qarkorja e re planifikohet të ndërtohet nga autostrada në Tetovë nga pjesa e zonës industriale dhe të del në fshatin Neproshten (Komuna e Tearcës). E njëjta planifikohet të jetë e gjatë rreth 6 kilometra. Qytetarët që nuk kanë destinacion Tetovën duk do të futen në qytet dhe kjo pritet të lehtësojë komunikacionin.

Në autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar ka vetëm një qarkore cila lidhet me Gostivarin. Ndërkaq automjetet tjera që kanë destinacion komunat si Tearca, Jegunoci apo edhe Kosovën, duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur më pas me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Kjo shkakton ngarkesë shtesë në komunikacionin e stërngarkuar të Tetovës.

Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunoc dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.

Kjo qarkore figuron edhe si premtim parazgjedhor edhe në Programin 2020-24 të Bashkimit Demokratik për Integrim. E njëjta është paraparë te pjesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht te zhvillimi i rrugëve rurale thuhet: “Nyja lidhëse e urës Trebosh në vlerë prej 3 milion euro. Komunat Tetovë, Zhelinë, Jegunovcë dhe Tearcë”. Megjithatë për disa vite rezultat dhe punë në terren nuk pati.