Punimet për qarkoren e Tetovës nuk filluan në vitin 2023 siç paralajmëroi Rustemi, me 1 shkurt pritet të fillojë ndërtimi

Punimet në terren për qarkoren e Tetovës e cila lidhet nga autostrada në pjesën e zonës industriale në Trebosh dhe del në Neproshten nuk filluan në vitin 2023 përkundër shumë deklaratave dhe zotimeve të drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemit. Nga kjo ndërmarrje për Portalb.mk thonë se punimet për ndërtimin e qarkores Trebosh pritet të fillojnë me 1 shkurt.

Zotimet nga Rustemi ishin fillimisht se punimet do të fillonin në shtator, më pas në fillim të tetorit ndërsa më pastaj në fund të tetorit, por kjo nuk ndodhi.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me 29 nëntor 2023 lëshoi lejen e ndërtimit të qarkores në Tetovë përmes nyjës Trebosh deri në Neproshten, faza 1, Komuna e Zhelinës, Tearcës dhe Tetovës.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për Portalb.mk thonë se është vënë në funksion mbikëqyrja e punimeve për ndërtimin e qarkores në Trebosh dhe tashmë kontraktuesit po kryejnë kontrolle dhe matje gjeodezike.

“Pritet që më 1 shkurt kontraktori të fillojë punimet për ndërtimin e qarkores në Trebosh”, thanë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Afati i parashikuar i përfundimit të punimeve siç thonë nga ndërmarrja është 15 muaj.

Qarkorja e re planifikohet të ndërtohet nga autostrada në Tetovë nga pjesa e zonës industriale dhe të del në fshatin Neproshten (Komuna e Tearcës). E njëjta planifikohet të jetë e gjatë rreth 6 kilometra. Qytetarët që nuk kanë destinacion Tetovën duk do të futen në qytet dhe kjo pritet të lehtësojë komunikacionin.

Në autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar ka vetëm një qarkore cila lidhet me Gostivarin. Ndërkaq automjetet tjera që kanë destinacion komunat si Tearca, Jegunoci apo edhe Kosovën, duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur më pas me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Kjo shkakton ngarkesë shtesë në komunikacionin e stërngarkuar të Tetovës.

Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunoc dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës, kjo kërkesë ishte pranuar nga kryeministri i asaj kohe Zoran Zaev.

Kjo qarkore figuron edhe si premtim parazgjedhor edhe në Programin 2020-24 të Bashkimit Demokratik për Integrim. E njëjta është paraparë te pjesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht te zhvillimi i rrugëve rurale thuhet: “Nyja lidhëse e urës Trebosh në vlerë prej 3 milion euro. Komunat Tetovë, Zhelinë, Jegunovcë dhe Tearcë”. Megjithatë për disa vite rezultat dhe punë në terren nuk pati.