RMV, janë regjistruar shtatë raste të kollës së madhe, derisa po përhapet edhe gripi

Nga gjithsej shtatë raste të kollës së madhe në Maqedoninë e Veriut, dy të fundit janë foshnja të moshës dy muajshe dhe një pacient i rritur është shtruar në spital. Gripi sezonal po përhapet gjithashtu dhe mjekët parashikojnë se do të arrijë kulmin në shkurt, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Nga fillimi i këtij viti janë regjistruar gjithsej shtatë persona me kollë të madhe dhe dy rastet e fundit janë foshnja të moshës dy deri në dy muaj e gjysmë, tha për Radion Evropa e Lirë Zlate Mehmedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Mehmedoviq shton se nga këto shtatë raste është edhe një rast i një të rrituri me kollë të madhe, i cili është shtruar në Klinikën Infektive në Shkup. Foshnjat me kollë të madhe ose me pretusis nuk u trajtuan në spital.

Si pasojë e këtyre rasteve të kollës, si dhe ngjarjeve me gripin, Komisioni për Sëmundjet Infektive të mërkurën e ardhshme do të mbajë seancë ku do të diskutohen këto gjendje.

Kolla e madhe mirë në vend është shfaqur në fillim të janarit dhe fillimisht janë regjistruar dy raste – një person nga Kërçova me kollë të madhe i ardhur nga jashtë dhe një foshnjë gjashtë muajshe nga Shkupi.

Të dy personat nuk ishin vaksinuar dhe mjekët pohojnë se mbrojtja më e mirë krijohet me DiTePer, një vaksinë e kombinuar që mbron nga bakteret që shkaktojnë tre sëmundje të ndryshme – difterinë, tetanozin dhe kollën e madhe.

Mjekët thonë se kolla e madhe mund të parandalohet me vaksinimin, i cili është në tre doza, në moshën 2, 4 dhe 6 muajsh, siç ishte më parë, ndaj prej vitesh kjo sëmundje nuk shfaqej.

“Rreziku i marrjes së sëmundjes dhe shfaqjes së komplikimeve është më i madh tek të sapolindurit dhe fëmijët e vegjël që nuk janë vaksinuar. Në mjediset me mbulim të lartë vaksinimi, pertusis mund të shfaqet edhe tek adoleshentët dhe të rriturit për shkak të dobësimit të imunitetit”, tha për Radion Evropa e Lirë dr.Kristina Stavridis nga Instituti i Shëndetit Publik

Sipas të dhënave më të fundit, në Maqedoninë e Veriut mbulimi për vaksinim primar është nën 90 për qind për të gjitha vaksinat – kundër verdhëzës ose hepatitit B (HepB), për vaksinën kundër gripit ose Haemophilus influenzae tip B (HiB), vaksina e trefishtë kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit (DiTePer ) dhe vaksina MRP kundër fruthit, si dhe kundër virusit papilloma humane (HPV), e cila shënon mbulimin më të ulët nga të gjitha vaksinat.

Kujtojmë se javën e fundit është rritur numri i të infektuarve me grip në vend, tregojnë të dhënat nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Në tri njësi raportuese që kanë raportuar raste gjatë kësaj jave është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit, në tetë ka qenë sezonal, në 12 të mesëm, në Dibër – i lartë dhe në tri njësi raportuese – Resnjë, Kavadar, Kratovë – aktivitet shumë i lartë i virusit.