Është shtyrë fillimi i punimeve për qarkoren e Tetovës, Rustemi: Çështje procedurash

Punimet për qarkoren e Tetovës e cila do të bëjë lidhjen me vendbanimet përreth nga drejtimi i Kosovës pritet do të fillojnë muajin e ardhshëm. Edhe pse para do kohe, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi tha se punimet do të zhvillohen gjatë këtij muaji, ai sot theksoi se “shkaku i procedurave”, punimet do të nisin në tetor, shkruan Portalb.mk.

Rustemi sot deklaroi se në përfundim janë procedurat për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e qarkores së Tetovës.

“Shpresojmë se për 10-15 ditë do të kemi edhe zgjedhjen përfundimtare të kompanisë dhe mbikëqyrjes dhe nga fillimi i tetorit të fillojë edhe me ndërtimin e qarkores së Tetovës e cila do të mundësojë zvogëlimin e komunikacionit brenda Tetovës”, tha Rustemi.

Rikujtojmë se më 1 qershor 2023, Rustemi pati deklaruar se në punimet priteshin të fillonin në shtator. I pyetur për këtë shtyrje të afatit ati tha se është çështje procedurash.

“Paralelisht vazhdojnë aktivitetet për shpronësimin e të gjitha parcelave ku do të kalojë qarkorja dhe ai aktivitet shpresojmë se deri me 15 tetor do të përfundojë”, tha Rustemi i cili shtoi se ndërtimi i qarkores do të zgjasë 18 muaj.

Qarkorja e re planifikohet të ndërtohet nga autostrada në Tetovë nga pjesa e zonës industriale dhe të del në fshatin Neproshten (Komuna e Tearcës). E njëjta planifikohet të jetë e gjatë rreth 6 kilometra. Qytetarët që nuk kanë destinacion Tetovën duk do të futen në qytet dhe kjo pritet të lehtësojë komunikacionin.

Në autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar ka vetëm një qarkore cila lidhet me Gostivarin. Ndërkaq automjetet tjera që kanë destinacion komunat si Tearca, Jegunoci apo edhe Kosovën, duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur më pas me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Kjo shkakton ngarkesë shtesë në komunikacionin e stërngarkuar të Tetovës.

Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunoc dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës, kjo kërkesë ishte pranuar nga kryeministri i asaj kohe Zoran Zaev.

Kjo qarkore figuron edhe si premtim parazgjedhor edhe në Programin 2020-24 të Bashkimit Demokratik për Integrim. E njëjta është paraparë te pjesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht te zhvillimi i rrugëve rurale thuhet: “Nyja lidhëse e urës Trebosh në vlerë prej 3 milion euro. Komunat Tetovë, Zhelinë, Jegunovcë dhe Tearcë”. Megjithatë për disa vite rezultat dhe punë në terren nuk pati.