Shtyhet përsëri fillimi i punimeve për qarkoren e Tetovës

Edhe pse drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi në fillim të muajit shtator tha se punimet për qarkoren e Tetovës të fillojnë në fillim të muajit tetor, kjo nuk ndodhi. Ai së fundmi në një intervistë për TV21 deklaroi se punimet pritet të fillojnë në fund të muajit tetor, raporton Portalb.mk.

Rustemi informoi se kompania e ndërtimit është zgjedhur dhe se pritet leja për ndërtim, ndërsa nga fundi i tetorit punimet do të fillojnë.

“Për këtë pjesë të qarkores së Tetovës dua të informoj qytetarët se e kemi zgjedhur kompaninë për ndërtim “Granit” dhe është zgjedhur edhe mbikëqyrja, është nga Shkupi. Tani presim që këto ditë të marrim lejen për ndërtim dhe sipas të gjithë gjasave javën e ardhshme e kemi lejen për ndërtim dhe menjëherë do të fillojmë me punimet për ndërtimin e qarkores së Tetovës. Domethënë deri në fund të tetorit, pasi fjala ime ka qenë se në tetor do të fillojnë punimet”, tha Ejup Rustemi.

Rustemi në fillim të shtatorit tha se për 10-15 ditë do të zgjidhej kompania dhe mbikëqyrja dhe se nga fillimi i tetorit do të fillojë edhe ndërtimi i qarkores së Tetovës.

 1 qershor 2023, Rustemi pati deklaruar se në punimet priteshin të fillonin në shtator.

Qarkorja e re planifikohet të ndërtohet nga autostrada në Tetovë nga pjesa e zonës industriale dhe të del në fshatin Neproshten (Komuna e Tearcës). E njëjta planifikohet të jetë e gjatë rreth 6 kilometra. Qytetarët që nuk kanë destinacion Tetovën duk do të futen në qytet dhe kjo pritet të lehtësojë komunikacionin.

Në autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar ka vetëm një qarkore cila lidhet me Gostivarin. Ndërkaq automjetet tjera që kanë destinacion komunat si Tearca, Jegunoci apo edhe Kosovën, duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur më pas me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Kjo shkakton ngarkesë shtesë në komunikacionin e stërngarkuar të Tetovës.

Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunoc dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës, kjo kërkesë ishte pranuar nga kryeministri i asaj kohe Zoran Zaev.

Kjo qarkore figuron edhe si premtim parazgjedhor edhe në Programin 2020-24 të Bashkimit Demokratik për Integrim. E njëjta është paraparë te pjesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht te zhvillimi i rrugëve rurale thuhet: “Nyja lidhëse e urës Trebosh në vlerë prej 3 milion euro. Komunat Tetovë, Zhelinë, Jegunovcë dhe Tearcë”. Megjithatë për disa vite rezultat dhe punë në terren nuk pati.