Partitë politike reaguan në lidhje me plagosjen e Shahinit në Kumanovë

Në lidhje me ngjarjen e sotme në Kumanovë, ku nga gjuajtja me armë ngeli i plagosur mjeku dhe bartësi i listës së këshilltarëve në Komunën e Likovës, Zekirja Shahini, kanë reaguar nga koalicioni VLEN dhe AKI, transmeton Portalb.mk.

“Shprehim keqardhje të thellë për ngjarjen që ka ndodhur në Kumanovë, ku është plagosur dr. Zekirja Shaini. Ne si koalicion dënojmë çdo formë të dhunës dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e rastit”, deklaruan nga VLEN-i, duke kërkuar nga institucionet të zbardhin sa më shpejtë rastin.

Ata theksojnë se dhuna nuk ka justifikim në momentin që rrezikon jetën e qytetarëve, ndërsa kërkuan që rasti mos të përdoret për qëllime politike.

“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor”, deklaruan nga AKI, duke kërkuan nga Polici dhe Prokuroria për zbardhjen e rastit.

Ata sot kanë pezulluar aktivitet për shkak ndjeshmërisë së situatës, duke kërkuar nga aktivistët që mos të bien pre e provokimeve.

“Ministria e Shëndetësisë me shqetësim ka pranuar lajmin për sulmin e armatosur në Kumanovë, gjatë të cilit është plagosur kolegu ynë, doktori Zekirija Shaini. Njoftojmë opinionin publik se plagët nuk paraqesin rrezik për jetën dhe se doktori ndodhet në gjendje stabile dhe është në proces rikuperimi”, deklaruan nga Ministria për Shëndetësi.

Ata premtuan se do të punojnë në Policinë për zbardhjen e rastit, ndërkohë do të mbështetin plotësisht doktorin në këtë periudhë.

“Kërkojmë edhe përgjegjësi politike nga Pançe Toshkovski. Kjo që po ndodh vazhdimisht është e dënueshme dhe e papranueshme. Rrugët e Maqedonisë janë shndërruar në Perëndim të egër. Të shtënat me armë janë një dukuri e përditshme, qytetarët nuk ndihen të sigurt”, deklaruan nga LSDM-ja.

Ndryshe, nga të shtënat me armë në Kumanovë sot në mesditë u plagos Zekirja Shahini, mjek i pulmologjisë dhe bartës i listës për këshilltarë nga koalicioni AKI. SPB Kumanovë e ka konfirmuar rastin, duke mos dhënë informacioni mbi motivet e përleshjes, ndërsa Prokuroria ka vlerësuar se ky rast nuk lidhet me zhvillimet politike.

Shahini pas mjekimit fillestar në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës, u dërguar për mjekim në klinikën e Shkupit.