Për në shkollë dhe në xhami, rruga në Çerkez të Kumanovës kalon mbi binarë (Video)

Për të shkuar nga njëra pjesë e fshatit Çerkez të Kumanovës në tjetrën, banorët detyrohen të kalojnë mbi binarët ku qarkullojnë trenat. Nënkalimi që lidhte dy pjesët e fshatit është mbyllur dhe banorët nuk kanë rrugë tjetër të sigurt. Derisa qytetarëve ju rrezikohet jeta, institucionet heshtin, shkruan Portalb.mk.

Një banor i Çerkezit thotë se fëmijëve që shkojnë në shkollë u bie më shkurt të kalojnë aty. Të njëjtën rrugë marrin edhe të moshuarit për të shkuar në xhami. Kamera e Portalb.mk madje kapi fëmijët duke kaluar mbi hekurudhë.

“Është rrezik dhe ka nevojë, jo sot, por prej kohësh ka nevojë të rregullohet. Kemi fëmijë që shkojnë në shkollë dhe u bie shumë afër të kalojnë këtu. Edhe ne që shkojmë në xhami, ka të moshuar që nuk shohin dhe nuk dëgjojnë mirë, prandaj është rrezik edhe për ata. Është shumë e nevojshme, jo pak, por shumë. E kemi kërkuar shumë herë, por nuk ka dalë askush ta marrë përsipër rregullimin e këtij nënkalimi”, tha ai.

Pas kërkesave të përsëritura të banorëve, çështja u ngrit edhe në Këshillin e Komunës së Kumanovës. Këshilltari i AKI-së, Huzeir Mustafa, tha se për problemin ishte njoftuar edhe ish-drejtori i Hekurudhave të RMV-së.

“Një takim që kemi pasur me ish-drejtorin e Hekurudhave të RMV-së, e kemi ngritur si temë dhe si shqetësim para dy-tre vitesh. Por, prej atëherë ka mbetur vetëm një bisedë dhe shqetësim i rastit dhe nuk është ndërmarrë asgjë në atë drejtim”, tha Mustafa.

Portalb.mk pyeti Komunën e Kumanovës, Ministrinë e Transportit dhe Drejtorinë e Hekurudhave për këtë problem të banorëve dhe gjetjen e zgjidhjes, por deri në publikimin e lajmit, asnjëri prej institucioneve nuk u përgjigj.

Ndryshe, banorët ankohen për mungesën e sinjalistikës dhe thonë se çdo ditë rrezikohet jeta e tyre. Banorët e kësaj zone për vite me radhë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë apo ajo nuk funksionon. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Ndërsa në kalimin hekurudhor në fshatin Vaksincë, kalimi hekurudhor përballet me probleme të tjera. Sipas tyre, në këtë pikë punonjësit përballen me vjedhje të vazhdueshme të baterive dhe kabllove që kanë për detyrë të dërgojnë sinjal për kalimin e trenit.