Para shtatorit pritet të shpërndahen librat e reja për klasën e shtatë sipas konceptit të ri, vlerësoi Ministria

Ministria për Arsim dhe Shkencë pas përpilimit të programeve të reja mësimore për klasën e shtatë, vlerësoi që në shtator librat e reja do të jenë në duart e nxënësve, transmeton Portalb.mk.

“Pritet që procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore për klasën e shtatë, redaktimi grafik dhe shpërndarja, të përfundojë plotësisht para shtatorit të ardhshëm dhe nxënësit në ditën e parë të shkollës, të kenë të gjitha tekstet shkollore para tyre”, vlerësoi Ministria.

Ata sot njoftuan që programet e reja mësimore për klasën e shtatë, në përputhje me konceptimin e ri për arsimin fillor, janë përgatitur nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, ndërsa do të zbatohen në vitin shkollor 2024-25.

“Kjo nënkupton fillimin me kohë të procedurës për përpilimin e teksteve shkollore të reja shkollore. Menjëherë pasi do të dorëzohen programet mësimore  në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Shërbimi Pedagogjik do të publikojë thirrjet për autorë dhe për përzgjedhjen e recensentëve”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, problemet e ndryshme që po shfaqen si rezultat i realizimit të konceptit të ri që këtë vit filloi edhe te klasat e gjashta, janë çështjet që u diskutuan në muajin shtator në takimin ndërmjet Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe Byro për Zhvillimin e Arsimit. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, theksoi që takimi është zhvilluar në hapësirat e Ministrisë, ku u diskutua për konceptin e ri për arsimin fillor, duke vlerësuar që sindikata ka paraqitur propozime konstruktive të faktuara.

Një nga problemet e këtij viti shkollor është edhe mungesa e librave, përkundër që viti shkollor kishte filluar. Problemi më i madh u shfaq te klasat e treta dhe të gjashta, ku duhej të kishte libra të reja në përputhje me Konceptin e Ri. Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.