Laboratori Shtetëror nuk mund të gjejë të punësuar për akreditimin e matjes së ndotjes së ajrit

Laboratori Shtetëror për Mjedisin Jetësor planifikon që vitin e ardhshëm të akreditohet për tre metoda të monitorimit të cilësisë së ajrit, por vetëm nëse gjejnë se kush do të punojë me instrumentet. Siç informojnë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Laboratori qendror në propozim buxhetin për vitin 2024 parasheh akreditim të metodave të reja për matjen e emetimit nga burimet stacionare. Megjithatë, akreditimi dhe matjet nuk do të varen vetëm nga ajo nëse do të sigurohen mjete për procesin, por në masë të madhe do të varen nga ajo se nëse do të punësohen kuadro adekuate, si kryerës të punës në terren, transmeton Portalb.mk.

“Është problem se ka shumë interes të dobët ose aspak interes te personat profesionalë për kryerjen e kësaj veprimtarie. U shpallën dy konkurse për punësim nga tre realizues, por është punësuar vetëm një, sepse kishte pak kandidatë. Në konkurs u paraqitën vetëm dy persona, prej të cilëve njëri nuk i plotësonte kushtet”, informojnë nga Ministria.

Për shkak se nuk ka të punësuar, nuk përdoret as instrumenti për matjen e emetimeve nga burimet stacionare, i cili është blerë para dy vitesh. I punësuari i ri tani është trajnuar për matjen e zhurmës, sepse ndërkohë njëri nga shtatë të punësuarit në Laboratorin Qendror që ka punuar në këtë metodë është pensionuar.

“Laboratori ende nuk ka punësuar njerëz që do të mund të trajnohen për matjen e emetimeve nga burimet stacionare. Për këtë arsye, edhe pse instrumenti është i blerë, ai ende nuk përdoret. Përndryshe, institucioni ka gjithsej shtatë të punësuar që janë të kyçur në sistemin e cilësisë ISO 17025 për laborator të akredituar”, thonë nga Ministria.

Laboratori Qendror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor deri tani është i akredituar për metoda për analiza të ujërave të zeza edhe atë për gjithsej 12 parametra, për shtatë prej të cilave është zgjeruar akreditimi edhe për ujërat sipërfaqësorë, si dhe për matjen e nivelit të zhurmës në mjedisin jetësor. Edhe pse problemi me ajrin e ndotur është realitet për shumë qytete në vend për më shumë se një dekadë, deri tani nuk janë aplikuar metoda të akredituara për ajër. Kjo, sipas shoqatave ekologjike në vend, është një problem i madh për Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin Jetësor, sepse matjet e parametrave të ndryshme të ndotjes nga ana e tyre nuk mund të merren si prova solide, posaçërisht në proceset gjyqësore kundër ndotësve.

Profesori Dejan Mirakovski nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Teknike në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip për Meta.mk thotë se laboratori i tyre Ambikon tanimë gjatë kohë punon në monitorimin e ajrit ambiental dhe mjedisit jetësor. Fokusi kryesor i tyre është kontrolli i parametrave kualitativë dhe kuantitativë të ajrit në gjendje dhe kohë reale. Janë të akredituar prej vitit 2014 në pajtim me ISO 17025 për analizë të ekzemplarëve ekologjikë. Kanë edhe rrjetin e tyre të monitorimit për ndjekjen e cilësisë së ajrit, ndërsa të dhënat publikohen në kohë reale në portalin e laboratorit. Janë të akredituar për 11 metoda, prej të cilave gjashtë metoda për ndjekjen e cilësisë së ajrit, ndërsa punojnë edhe me 25 metoda të pa akredituara.

Laboratori Ambikon e shfrytëzon metodën më standarde dhe më të shpeshtë për matjen e pranisë në ajër të grimcave të forta të suspenduara PM 10 dhe PM 2,5, e analizon ekspozimin e pluhurit në ajër në ambientin jetësor dhe atë të punës, përcakton koncentrimin e fijeve të azbestit në ajër dhe koncentrimin e fijeve joorganike, përcakton metale në grimcat e mjedisit, përbërjen e tyre kimike dhe çfarë përmbajnë dhe përcakton dioksidin e siliciumit të kristalizuar në pluhurin e respirueshëm.

Mirakovski thotë se puna e laboratorit universitar është falas për analizat që i bëjnë studentët dhe profesorët, por edhe për organet shtetërore. Thekson se kanë bashkëpunim edhe me inspektoratin shtetëror dhe inspektoratet komunalë për mjedisin jetësor, të cilët herë pas here i shfrytëzojnë shërbimet e tyre.

“Mendoj se për të gjithë do të jetë më së miri të investohet në laboratorët universitarë dhe të shfrytëzohen për nevojat e institucioneve shtetërore. Në këtë mënyrë universitetet do ta luajnë rolin e tyre shoqëror, studentëve do t’u mundësohet që të mësojnë në një ambient cilësor, ndërsa nga ana tjetër nuk do të shpenzohen paralelisht resurse në më shumë vende. Kjo është win-win për të gjithë”, thotë për Meta.mk Mirakovski.