Sindikata në takim me ministrin për të diskutuar për problemet me konceptin e ri në shkollat e Maqedonisë së Veriut

Problemet e ndryshme që po shfaqen si rezultat i realizimit të konceptit të ri që këtë vit filloi edhe te klasat e gjashta, janë çështjet që u diskutuan në takimin ndërmjet Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe Byro për Zhvillimin e Arsimit, transmeton Portalb.mk.

“Theks i veçantë në diskutim i jepet realizimit të lëndës Gjeografia në klasën e gjashtë, si dhe lëndët e tjera të integruara në klasat e shtata, teta dhe të nëna, që do të realizohen me programin e ri në vitet e ardhshme shkollore”, deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov.

Nedelkov theksoi që takimi është zhvilluar në hapësirat e Ministrisë, ku u diskutua për konceptin e ri për arsimin fillor, duke vlerësuar që sindikata ka paraqitur propozime konstruktive të faktuara.

“BZHA u shprehën të gatshëm për bashkëpunim dhe propozimet konstruktive janë të mirëseardhura. Qëndrimi i MASH-it është se reformat në arsim janë të patjetërsueshme”, deklaroi Nedelkov.

Ndryshe, nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, u konfirmua para një muaji nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në vend të kësaj, nxënësit do të mësojnë nga materialet mbështetëse të prodhuara nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

“Këtë vit duhet të ketë tekste krejtësisht të reja për klasat e treta dhe të gjashta, për të cilat janë përgatitur planprograme të reja nga Byroja dhe janë dorëzuar në dhjetor 2022 për klasën e tretë dhe në prill 2023 për klasën e gjashtë. Me tekstet e klasës së tretë jemi në një fazë më të avancuar të përgatitjes dhe miratimit, krahasuar me ato të klasës së gjashtë dhe presim që të gjitha tekstet e këtyre dy klasave të miratohen dhe të dorëzohen shpejt pas fillimit të vitit shkollor. Deri atëherë do të përdoren materialet ndihmëse të prodhuara nga Byroja dhe do të jenë në dispozicion në formë elektronike”, njoftoi Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë, ky vit shkollor do të nisë më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 qershor. Për herë të parë prezantohet pushim pranveror, i cili do të zgjasë një javë, nga 29 prilli deri më 5 maj.

Tekstet për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta do të jenë edhe në formë digjitale

Të gjitha tekstet nga klasat e katërta dhe sipër në arsimin fillor do të marrin version digjital, ndërsa procesi i digjitalizimit do të zhvillohet në faza, shtojnë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Këtë vit po punohet për digjitalizimin e teksteve për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta. Ata do t’i bashkëngjiten një portal të posaçëm që është në proces zhvillimi dhe nxënësit dhe mësuesit me një klikim të thjeshtë do të mund t’i shkarkojnë dhe nëse e kanë më të lehtë të mësojnë nga këto tekste digjitale”, thonë nga atje.