Panel mbi qasjen në informacion, Josifovska Danillovska: Në RMV ekziston hapje institucionale në dokumente, por në praktikë ka pengesa

Me ftesë të Partnerëve për ndryshime demokratike Serbi (Serbi), Mila Josifovska Danillovska, menaxhere programore në Fondacionin Metamorfozis, ishte folëse në një panel diskutimi të titulluar “Gjendja e lirisë së qasjes në informacion në Serbi dhe Rajon”, si pjesë e konferencës “Gazetaria nën sulm: Epoka e jo-lirisë dhe paqëndrueshmërisë së profesionit” të mbajtur më 30 shtator 2025 në Beograd, Serbi, transmeton Portalb.mk.

Paneli, i mbajtur me rastin e Ditës ndërkombëtare të së drejtës së publikut për të ditur (28 shtator) dhe 21-vjetorit të Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion në Serbi, mblodhi së bashku ekspertë, gazetarë, aktivistë dhe vendimmarrës vendas dhe rajonalë për të diskutuar gjendjen e lirisë së qasjes në informacion në Serbi dhe rajon. Pjesëmarrësit diskutuan cilësinë dhe zbatimin e ligjit për qasjen në informacion, sfidat dhe kërcënimet aktuale për realizimin e kësaj të drejte, si dhe rolin kyç të gazetarëve dhe aktivistëve në mbrojtjen e transparencës, llogaridhënies dhe lirisë së shprehjes.

Paneli prezantoi gjithashtu gjetjet më të fundit nga Indeksi Rajonal i Hapjes, i cili mat hapjen dhe transparencën e autoriteteve ekzekutive dhe legjislative në të gjithë rajonin, dhe prezantohet nga organizatat e shoqërisë civile nga rrjeti ACTION SEE.

Josifovska Danillovska kujtoi se Maqedonia e Veriut ka udhëhequr një “proces të kombinuar” kur bëhet fjalë për hapjen institucionale në dekadën e fundit. Nga njëra anë, shteti ka miratuar rregullore që i detyrojnë institucionet të publikojnë 21 lloje dokumentesh, ka miratuar dy strategji transparence dhe ka zhvilluar një numër shërbimesh digjitale për qytetarët. Përveç kësaj, për të gjashtin vit radhazi, Qeveria është e para në rajon për sa i përket hapjes sipas Indeksit të Hapjes. Por, siç paralajmëron ajo, “edhe pse hapja ekziston si vlerë në dokumentet zyrtare, në praktikë qytetarët ende nuk kanë një pasqyrë të plotë të vendimmarrjes para se ato të bëhen përfundimtare”.

Sipas Josifovska Danillovskës, një pjesë e madhe e problemit qëndron në mungesën e vullnetit të vërtetë politik: “Të gjitha ligjet, strategjitë dhe planet e veprimit janë të padobishme pa vullnet politik, bashkëpunim të hapur me të gjithë palët kryesore të interesuara dhe zbatimin e tyre të përkushtuar”. Ajo thekson se “heshtja e administratës ndaj kërkesave të qytetarëve për qasje të lirë në informacion nuk është vetëm një problem procedural, por edhe një tregues i rezistencës së thellë të institucioneve ndaj pranimit të transparencës si një standard pune, gjë që dëmton drejtpërdrejt besimin e publikut dhe krijon hapësirë ​​për dyshime për korrupsion”.

Paneli u moderua nga Gordana Andriq, drejtore ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative – BIRN Serbia (Serbi), ndërsa folës ishin Slavoljubka Pavloviq, Ndihmëse Sekretare e Përgjithshme e Komisionerit për Informacion me Rëndësi Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale (Serbi), Milena Gvozdenoviq, zëvendësdrejtore ekzekutive e Qendrës për Tranzicion Demokratik (Mali i Zi), Amina Izmirliq Çatoviq, koordinatore e Projektit në OJQ-në “Pse jo?” (Bosnje dhe Hercegovinë), Mila Josifovska Danilovska, menaxhere programore në Fondacionin Metamorfozis, dhe Kristina Obrenoviq, hulumtuese në Partnerë për ndryshime demokratike Serbi.

Ndryshe, hulumtimi për Indeksin e Hapjes i Fondacionit Metamorfozis, tregoi se në vitin 2025 shumë komuna në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kenë nivele të ulëta transparence, me Demir Kapinë, Sopishtën, Llozovën, Studeniçanin dhe disa NJVL të tjera që përmbushin më pak se 25% të treguesve të Indeksit të Hapjes. Rezultati më i ulët mesatar është regjistruar në fushën e ndërgjegjësimit (24%), që tregon dobësi serioze në planifikim, monitorim dhe vlerësim të politikave publike. Rajoni i Pollogut mbetet më i mbylluri me 32.3%, ndërsa rajoni i Vardarit ka shënuar regres për shkak të rënies drastike të nivelit të hapjes së Demir Kapisë.