Afati për qasje të lirë në informacione në Maqedoni është më i gjati në rajon, por edhe ai tejkalohet
Institucionet e Maqedonisë përmbushin rreth 50 përqind të indikatorëve për qasshmërinë në informacionet me karakter publik. Ato përgjigjen ngadalë, edhe pse kanë një afat prej 20 ditësh, që është më i gjati në rajon, por edhe ky afat shpesh tejkalohet. Shumë shpesh heshtin ndaj kërkesave të qytetarëve, gazetarëve apo organizatave qytetare dhe presin të marrin ankesë. Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik sot shënoi 20-vjetorin e miratimit të Ligjit për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik, transmeton Portalb.mk.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sa i përket indeksit rajonal të hapjes, është më e hapura në rajon, Parlamenti është në vendin e dytë, pas Malit të Zi, ndërsa Kriva Pallanka është komuna më e hapur në vend. Megjithatë, një pjesë e madhe e institucioneve vazhdojnë të jenë shumë të mbyllura sa i përket detyrimit për t’i bërë informacionet publike dhe të qasshme për të gjithë. Në fund të listës janë Ministritë e Sportit dhe të Sistemit Politik, si dhe komunat Bogovinë, Studeniçan dhe Lozovë.
“Duhet të kalojmë nga e drejta për të kërkuar informacion tek e drejta që informacioni të jetë i qasshëm. Kërkesa për qasje të lirë është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm demokratik dhe duhet të mbetet i tillë. Por sistemi më i suksesshëm nuk është ai në të cilin qytetarët parashtrojnë mijëra kërkesa. Më i suksesshëm është ai ku për një pjesë të madhe të informacioneve nuk ka fare nevojë të parashtrohet kërkesë. Qytetari nuk duhet të pyesë se sa para publike janë shpenzuar, kush ka lidhur një kontratë, çfarë vendimi është marrë, çfarë është premtuar, çfarë është realizuar apo si institucioni i menaxhon burimet që i janë besuar. Këto informacione duhet të publikohen në mënyrë proaktive, të jenë lehtësisht të qasshme, të kuptueshme, të përditësuara dhe, kurdo që është e mundur, në format të hapur dhe të lexueshëm nga makinat. Jo në një dokument të skanuar prej njëqind faqesh, i cili formalisht është publikuar, por praktikisht askush nuk mund ta kërkojë apo analizojë”, thotë Dançe Danillovska Bajdevska, drejtoreshë e programeve në Fondacionin Metamorfozis.
Ajo prezantoi rezultatet më të fundit të Indeksit të Hapjes së Vetëqeverisjes Lokale, ku analizat tregojnë se qasshmëria mbetet një nga pikat e dobëta të hapjes institucionale. Në pushtetin ekzekutiv, sipas matjes së fundit të publikuar nga Metamorfozis, qasshmëria është fusha me vlerësimin më të ulët, me vetëm 48,79 përqind të indikatorëve të përmbushur, që paraqet një rënie prej gati pesë pikë përqindjeje krahasuar me matjen e mëparshme, kur kjo përqindje ishte 54,18.
Në nivel lokal, matja më e re për vitin 2026 tregon një rezultat edhe më të dobët: komunat përmbushin vetëm 33,6 përqind të indikatorëve për qasshmërinë, ndërsa vetëm 50 nga 81 njësitë e vetëqeverisjes lokale, përkatësisht 61,7 përqind, janë përgjigjur brenda afatit ligjor ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacione, krahasuar me 62 komuna një vit më parë.
Sipas drejtorit Petar Gajdov, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik këtë vit ka marrë 334 ankesa, kryesisht nga qytetarë ose organizata qytetare. Ai theksoi se institucionet, edhe pse e tejkalojnë afatin dhe marrin ankesa, në shumicën e rasteve në fund i dorëzojnë informacionet.
“Qasja e lirë duhet të nënkuptojë publikim proaktiv të informacioneve, të mos pritet që të parashtrohen kërkesa, por vetë institucionet t’i publikojnë ato në ueb-faqet e tyre dhe në këtë mënyrë t’i informojnë qytetarët me kohë”, tha Gajdov.
Për ambasadorin e Suedisë, Olla Solstrom, çështja e qasjes së lirë në informacionet me karakter publik është shumë e rëndësishme në kohën e dezinformatave dhe sfidave të tjera për demokracinë, prandaj vendet duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për transparencën, përgjegjshmërinë dhe sundimin e ligjit.
“Sfidat e qytetarëve, gazetarëve apo organizatave maqedonase janë shumë të ngjashme me ato në Suedi, por dallimi është se Suedia ka një histori shumë të gjatë të lirisë së informacionit, qytetarët i dinë të drejtat e tyre, ndërsa institucionet janë të shpejta dhe kanë kapacitet për t’i siguruar informacionet”, thotë Solstrom.
“Qasja në informacione është standard, nga i cili duhet të ketë përjashtime vetëm nëse ekziston ndonjë arsye e jashtëzakonshme”, konsideron ambasadori i Zvicrës, Kristof Somer, i cili theksoi se qytetarët duhet të marrin vendime të bazuara në informacione, ndërsa institucionet duhet t’ua sigurojnë ato.
Kujtojmë se vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik ka marrë 107 vendime meritore me të cilat institucionet janë detyruar të japin informacionet e kërkuara, pasi nuk kishin vepruar edhe pas vendimeve të mëparshme të Agjencisë, thuhej në raportin vjetor të Agjencisë. Në total, gjatë vitit 2025 janë formuar 626 lëndë, ndërsa Agjencia, duke vendosur për ankesat e pranuara gjatë periudhës raportuese, ka marrë gjithsej 789 vendime