Prokuroria në Shkup hapi hetim kundër tre shtetasve turq që i zhvatën para një biznesmeni poashtu nga Turqia

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur hetim kundër tre shtetasve turq të cilët dyshohet se duke përdorur kërcënime për jetën, kanë zhvatur 40,000 euro nga një shtetas tjetër turk, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve në dispozicion të Prokurorisë, i dëmtuari erdhi në vend më 6 shtator me qëllim hapjen e një kompanie ndërtimi dhe IT, ndërsa i dyshuari i parë, i cili sipas informacioneve aktuale ndodhet në Dubai, e kontaktoi atë, e kërcënoi dhe i kërkoi shuma të ndryshme parash që arrinin në 70,000 euro. Ai gjithashtu i dërgoi mesazhe kërcënuese se do ta gjente në Maqedoni dhe do ta vriste nëse nuk do të vazhdonte të paguante ryshfet.

“Më 28 shtator, dy të dyshuarit e tjerë mbërritën në vend, njëri prej të cilëve është nipi i të dyshuarit të parë, dhe kontaktuan të dëmtuarin me qëllim marrjen e parave. Ata ranë dakord të takoheshin me viktimën në një qendër tregtare, ku ai u dha atyre një zarf me para të shënuara, pas së cilës zhvatësit u arrestuan”, tha Prokuroria Publike.

Meqenëse prokurorët vlerësuan se ekzistonin rrethana të rrezikut të arratisjes, mundësisë së mbulimit të gjurmëve ose ndikimit te dëshmitarët, si dhe mundësisë së përsëritjes së krimit, ata propozuan që dy të dyshuarit e arrestuar të lihen në paraburgim dhe të ndërmerren veprime për të gjetur të dyshuarin e parë.