Pacientët në RMV presin me muaj për termine në specialist, qytetarët nuk besojnë në sistemin shëndetësor

Pacientët në RMV ankohen se për të caktuar termine për në mjek specialistë duhet të presin me muaj dhe kjo ndikon në gjendjen e tyre shëndetësore, ndërkaq situata rëndohet kur shteti nuk siguron ilaçet e nevojshme pavarësisht obligimit ligjor. Në mungesë të termineve dhe ilaçeve, për shkak të urgjencës, ata detyrohen që të shkojnë në spitale private, ku çmimi për kontrolle janë shumë më të larta. Por, duke e pasur parasysh standardin dhe gjendjen ekonomike në RMV, jo gjithkush ka mundësitë financiare për të bërë kontrolle dhe blerë ilaçe në privat dhe kjo ua rëndon gjendjen ekonomike, sociale, por edhe shëndetësore pacientëve, shkruan Portalb.mk.

Sipas një pyetësori të shpërndarë nga Portalb.mk nëpërmjet Shoqatave të Pacientëve, pacientët në RMV janë ankuar se duhet të presin shumë gjatë për të caktuar termine te mjekët specialistë, se nuk ka kushte në spitale dhe ka vonesë të terapive ose ilaçe të rëndësishme që spitalet nuk i sigurojnë, kurse brenda shtetit nuk mund të gjinden, madje as privat.

Në bazë të përgjigjeve nga pyetësorët, problemi kryesor mbetet koha e gjatë e pritjes për të marrë udhëzim ose për të caktuar termin te specialistët.

Nga Shoqata e Pacientëve me Kancer deklarojnë se e kanë tmerrësisht të vështirë të caktojnë termine edhe për mamografi e jo më për shërbime të tjera, pavarësisht apelit të shoqatave dhe institucioneve që të rritet vetëdija për kontrolle të vazhdueshme për zbulim të hershëm të kancerit.

“Sistemi shëndetësor publik është i mbingarkuar me pacientë të cilët nga i gjithë vendi ynë dynden në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë (që trajton mbi 70 mijë pacientë onkologjikë) dhe në Klinikën e Hematologjisë. Klinikat nuk mund ta përballojnë këtë presion dhe në fakt sasia është mbi cilësinë”, thonë për Portalb.mk nga Shoqata e Pacientëve me Kancer.

Ata deklarojnë se, meqë gjithmonë u duhet të presin mbi 3-4 muaj për të marrë terapi, mundohen ta blejnë atë me paratë e veta edhe pse është shumë e shtrenjtë, edhe pse me shumë gjasa duhet të dalin jashtë shtetit për ta kërkuar dhe gjatë transportit individual ato injeksione mund të bëhen joefektive (shkaku i temperaturës jo konstante, presionit etj.).

Pacientet e Onkologjisë, foto: Meta.mk
Pacientet e Onkologjisë, foto: Meta.mk

shtator të këtij viti policia, me urdhër të Prokurorisë ka kryer aksion në Klinikën e Onkologjisë ku trajtohen pacientët me kancer, për shkak të dyshimeve se stafi mjekësor u ka shitur barna pacientëve në mënyrë ilegale, pavarësisht se ato barna janë të destinuar për ata. Rasti nxiti, reagime të shumta, por edhe protesta. Lënda edhe ndodhet në fazën hetimore dhe për të njëjtin edhe në Kuvend është ngritur Komision Hetimor.

Edhe nga Shoqata e Pacientëve me Diabet ankohen se për kontroll në një okulist, endokrinolog ose nefrolog për të gjitha ekzaminimet që janë të nevojshme duhet të presin të paktën tetë muaj.

“Endokrinologët, mjekët dhe infermieret janë të shkëlqyer, por ka pak prej tyre dhe të gjithë u kushtojnë shumë pak kohë pacientëve”, thonë nga Shoqata e Pacientëve me Diabet.

Ata tanimë disa muaj po protestojnë se Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht obligimit ligjor, tanimë 10 muaj nuk u ka siguruar aparate dhe shirita për matjen e diabetit, të cilat janë me rëndësi të veçantë që pacientët ta kontrollojnë diabietin. Për këtë, ata kanë paralajmëruar edhe padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana tjetër, Ministria, disa herë ka dhënë premtime, por assesi ta zbatojë.

Mexhiti në takim me Shoqatën e Diabetikëve, foto: Ministria e Shëndetësisë
Mexhiti në takim me Shoqatën e Diabetikëve, foto: Ministria e Shëndetësisë

Ankesa kanë edhe pacientët me fibrozë cistike, një sëmundje trashëguese që karakterizohet nga bllokimi dhe infeksioni i rrugëve të frymëmarrjes, të cilët kërkojnë një qendër me ekip specialistësh për sëmundjen e tyre, sepse momentalisht trajtohen në Pulmonologji, bashkë me pacientë që kanë sëmundje mushkërish, me të cilët shpesh i përziejnë.

“Kushtet në Pulmonologji janë shumë të këqija: nuk është fare pastër, na përziejnë me shumë njerëz të tjerë që kanë ndonjë lloj sëmundjeje të mushkërive, dhe nuk janë të pajisur sa duhet me materialet e nevojshme për ne”, është përgjigjur në pyetësorin e Portalbit një pacient me fibrozë cistike.

Ata gjithashtu kanë problem me caktimin e termineve edhe pse fibroza cistike nuk është sëmundje e zakonshme.

“Në lidhje me ekzaminimet, 90% janë të zëna përmes “Terminit Tim”, duhet të kontrollojmë gjatë gjithë kohës nëse ka termin të lirë, për sëmundje të këtilla nuk mendoj se pacienti mund të presë termin”, është përgjigjur një pacient tjetër.

Të pyetur për terapinë, ata thanë se atë e siguron spitali, por ka raste, sidomos kohët e fundit, kur vonohet me muaj. Më shpesh thanë se vonohet ilaçi Pulmozime, kurse ai më i rëndësishmi, Trikafta, ende nuk gjendet brenda shtetit dhe duhet ta blejnë privat bashkë me disa vitamina dhe antibiotikë tjerë.

Protestë e pacientëve me fibrozë cistike, Foto: Printscreen nga video
Protestë e pacientëve me fibrozë cistike, Foto: Printscreen nga video

Pacientët me fibrozë cistike me muaj të tërë kanë protestuar që shteti t’u sigurojë ilaçin “Trikafta”, ndërkaq në shkurt të këtij viti Shoqata e Pacientëve me Fibrozë Cistike njoftoi se duke pritur këtë ilaç, ka ndërruar jetë pacienti, Bllagojçe Ilievski. 

Pas kësaj, u miratuan ndryshimet ligjore për blerjen e ilaçit, por megjithatë nuk ka pasur mjaftueshëm për të gjithë pacientët. Për këtë, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti më 16 tetor  gjatë një takimi me përfaqësuesit e Shoqatës, premtoi se kanë siguruar fonde shtesë me çka do të rritet ndjeshëm numri i pacientëve për të cilët Komisioni i ekspertëve do të vendosë që të marrin terapi me “Trikafta”.

Për të kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, endemi prej një reparti në një repart tjetër, ankohen pacientët me Hemofili, një sëmundje e çrregullimit të gjakut që mund të shkaktojë gjakderdhje spontane ose gjakderdhje pas lëndimeve ose operacioneve që nuk ndalet për një kohë të gjatë.

“Kishte shpresa të mëdha që me hapjen e Qendrës së Hemofilisë çdo gjë do të ishte më e lehtë dhe më e shpejtë, që me një vizitë në Qendër të bëheshin të gjitha ekzaminimet e nevojshme, por ne ende shkojmë në ortopedi, te fiziatri, te gastrohepatologu… Të rriturit që janë në profilaksë kryesisht marrin terapi në shtëpi… nëse kanë nevojë shkojnë në qendrën e hemofilisë në mëngjes (nuk ka mundësi ta telefonojnë qendrën e hemofilisë sepse nuk kanë numër telefoni), kurse pasdite në mbarë Maqedoninë e Veriut, nëse ka spital në qytetin e pacientit, bëhet trajtimi aty, përndryshe në Shkup në Hematologji”, thonë nga Shoqata e Pacientëve me Hemofili.

Individët me Hemofili, edhe pse janë të rrallë (1 në 10,000), prapëseprapë përballen me mungesë të ilaçeve të caktuara për to dhe bëhen ndërhyrje vetëm kur bëhet fjalë për gjakderdhje kërcënuese për jetën. Terapia për hemofili nuk mund të blihet privat as këtu as jashtë shtetit.

Pacientët nuk besojnë në sistemin shëndetësor

Ankesat që kanë shprehur pacientët, natyrisht që janë si pasojë e disa skandaleve që në periudhën e fundit kanë shpërthyer në Maqedoninë e Veriut, por edhe nga përvoja e tyre personale që çdo ditë përballen me sistemin, i cili nuk i jep shërbimet e nevojshme në mënyrë efikase.

Sipas anketës së Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të publikuar më 10 qershor të këtij viti, vetëm 5% e qytetarëve kanë besim të plotë në institucionet e kujdesit shëndetësor. 40% të tjerë, kanë “pak besim”, ndërkaq 54% nuk kanë besim.

Nga Oda e Mjekëve për Portalb.mk, theksojnë se në kohën e fundit mjekët ankohen se po përballen me mosbesim të pacientëve dhe për këtë planifikojnë aktivitete me shoqatat e pacientëve me qëllim që të afrohen te pacientët.

Spital, shendetesi, mjekesi, doktor, mjek, ambulante
Foto nga një hapësirë e një Klinike në Spitalin “Nënë Tereza” Shkup, foto: Suad Bajrami

“Nga ana tjetër të tregojmë se marrëdhënia e përbashkët duhet të bazohet në respekt reciprok dhe besim, pasi që ajo është shumë e rëndësishme për procesin e mjekimit”, thonë nga Oda e Mjekëve, duke shtuar se mjekët gjithashtu ankohen se në periudhën e fundit ka patur shumë profile të rrejshme të mjekëve në internet, që po e shfrytëzojnë situatën dhe mashtrojnë individë, kurse nga ana e pacientëve kanë patur fyerje dhe sulme fizike sepse kanë qenë të revoltuar.

Sipas tyre, efekti i mjekimit varet prej mjekut, por edhe kushteve në të cilat punon mjeku.

“Problemet dhe sfidat janë të shumta dhe dinamike, ndërkaq efekti kryesor i tërë procesit të mjekimit varet nga profesionaliteti i mjeku, por edhe kushtet në të cilat punon, gjegjësisht qasja në procedurat për kontroll, diagnostikë, ndjekje të pacientëve, por edhe terapi përkatëse”, shtojnë nga Oda e Mjekëve.

Megjithatë, nga Oda thanë se “problem më i madh për momentin në vendin tonë është se kemi një përqendrim të lartë të mjekëve në Shkup, krahasuar me qytetet e tjera, si dhe struktura moshore e mjekëve, e cila po bëhet gjithnjë më e pafavorshme”.

Rikujtojmë se Oda e Mjekëve për këtë çështje ka reaguar edhe më herët, duke bërë kërkesë për gjetjen e mekanizmave për rishpërndarjen e kuadrit ekzistues mjekësor në prill të këtij viti, kurse vitin e kaluar ka kërkuar të bëhen ndryshime në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, sepse rreth 100 mjekë pritej të dalin në pension.

Nga ana tjetër, procesi arsimor mjekësor joadekuat, procedurat burokratike për hapjen e një ordinance, pagat në nivele të pa lakmueshme dhe mungesa e mbështetjes financiare pas përfundimit të studimeve janë disa nga arsyet kryesore që i detyrojnë mjekët dhe specialistët e rinj të largohen nga vendi. Më herët këtë muaj Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Shëndetësisë organizoi protestë për kushtet e punonjësve të shëndetësisë.