Shëndetësia në RMV në hall, personeli largohet me të madhe, ata që kanë mbetur protestojnë për kushte më të mira

Mbi 400 specializantë privatë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup janë në grevë të përgjithshme. Specializantët privatë janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë dhe të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në një institucion publik shëndetësor. Ata kërkojnë dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë. Nga ana tjetër, vazhdon të mbetet shqetësues eksodi i personelit mjekësor nga RMV. 20 vjet më parë kishim 18.000 mjekë, tani kemi 6.000, shkruan Portalb.mk.

Kushte pune dhe trajtim dinjitoz është kërkesa e mjekëve specializantë të cilët kanë hyrë në grevë të përgjithshme tashmë 1 javë dhe thonë se nuk do të kthehen në vendet e punës për aq kohë sa kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Aleksandra Georgieva, specializante dhe kryetare e Shoqatës së Mjekëve Specializantë, thotë për Portalb.mk se është e pa pranueshme ata të cilët janë në krye të detyrës në shërbim të pacientëve të mos kenë të paktën sigurim shëndetësor për vetën.

“Dita e një specializanti zakonisht fillon me detyrat aktuale të departamentit ku është caktuar, specializanti është mjeku që bën kontaktin e parë në mëngjes me të gjithë pacientët dhe i pyet për çdo ankesë që kanë pasur gjatë natës. Procesi i punës së specializantit është i ndërthurur mes ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët, ekzaminimeve, vizitave dhe një procesi edukativ, i cili është pjesa më e rëndësishme ndërvepruese e përditshmërisë së çdo mjeku të ri. Procesi i edukimit në profesionin tonë është mjaft i ndryshëm nga shumë të tjerë në fushën e mjekësisë, procesi i të mësuarit në masë të madhe nënkupton “të mësuarit duke bërë”. Dita, nga ana tjetër, varet nëse është për një turn apo detyrë 24 orëshe me një raport për të gjitha pranimet dhe ngjarjet e rëndësishme mjekësore në periudhën e kaluar. Më pas, për mua personalisht, dita më e preferuar zakonisht pason shoqërimin mes nesh kolegëve në kafenetë më të afërta përreth bllokut të klinikës Nënë Tereza”, thotë Aleksandra.

Edhe pse në gjithë botën mjekët e rijnë përkrahen dhe motivohen që të ecin në rrugën e tyre profesionale në Maqedoninë e Veriut ndodh e kundërta. Është me rëndësi të theksohet se në vendin tonë specializantët ndahen në privatë dhe shtetëror. Mjekët specializantë privat përveç se paguajnë vetëm për specializimin e tyre dallimi ndodh edhe në përcaktimin e pagesës mujore për këto dy kategori mjekësh të rijnë të cilët në fund të ditës i kryejnë detyrat dhe obligimet e njëjta.

“Sa i përket pagesës së tarifave/pagave të specializantëve, ka dallim në varësi të faktit nëse bëhet fjalë për specializantë privat apo shtetëror, pasi që specializantët privatë aktualisht kanë kontratë pune me pagesë fikse prej 26.000 denarë dhe specializantët shtetërorë me pagë 44.000 denarë. Kolegët specializantë privatë dhe shtetëror paguhen shtesë për turnet e natës në shuma të ndryshme. Mjekët e rinj janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor në Maqedoni, por edhe kudo në botë dhe japin një kontribut të paçmuar në procesin e punës. Në fund të fundit, ato janë e ardhmja e shëndetësisë dhe pishina nga e cila do të nxirret personeli i ardhshëm arsimor dhe specialist”, deklaroi Aleksandra.

Specializantët shtetëror janë mjekë të punësuar nëpër spitalet e vendit për të cilët shteti i mbulon shpenzimet financiare të specializimit ndërsa specializantët privat i paguajnë vetë kostot e specializimit, kosto e cila në Maqedoninë e Veriut kap vlerën e 14 000 euro për 6 vite. Specializantët privatë kanë kontratë pune me pagë fikse prej 26.000 denarë, pa sigurim pensional dhe aktualisht sigurim shëndetësor. Në vendin tonë ky kompensim/kontrata pune ka filluar për herë të parë në vitin 2018, për fat të keq që atëherë nuk kemi pasur progres, edhe pse sot paga mesatare është 40.000 denarë.

Mjekët specializantë në grevë/ Burimi i fotografisë: Faqja zyrtare ne fb e Shoqatës së mjekëve specializantë
Mjekët specializantë në grevë/ Burimi i fotografisë: Faqja zyrtare ne fb e Shoqatës së mjekëve specializantë

Qeveria premton zgjidhje pas zgjedhjeve, mjekët e rijnë të vendosur të vazhdojnë grevën

“Duhet të luftojmë për çdo milimetër normalitet. Është një luftë e nevojshme për ne“, kështu shprehen nga Shoqata së mjekëve specializantë. Kërkesat e tyre drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë janë si më poshtë:

• Rritja e pagës së praktikantëve privatë sipas pagës mesatare në Maqedoni për vitin aktual, e cila tani arrin në 39.800 denarë.
• Rifutja e sigurimit shëndetësor falas për të gjithë kolegët e specializimit privat.
• Shlyerja në kohë e detyrës me çdo pagë aktuale ashtu siç u paguhet në fakt të gjithë kolegëve të tjerë të punës.
• Dhe më e rëndësishmja, shndërrimi i të gjithë kursantëve privatë në kursantë shtetërorë dhe punësimi i tyre, gjë që në fakt ishte premtuar nga Ministria e Shëndetësisë para vitit të ri në rrjetin e sistemit shëndetësor sipas nevojave të spitaleve.

Përderisa Qeveria e RMV-së ka vendosur që problemin me specializantët ta zgjidh pas zgjedhjeve nga Shoqata e mjekëve specializantë privatë kanë bërë thirrje të vazhdojnë me grevën dhe të këmbëngulin për zgjidhje të menjëhershme. Mjekët e rijnë thonë se nuk lëkunden nga vendimi i tyre edhe pse po përballen me shumë kërcënime e shantazhe.

“Apelojmë kolegët më të vjetër, mentorët e respektuar, profesorët dhe edukatorët që këtë herë të tregojnë pak durim, siç është kërkuar shumë herë deri më tani nga specializantët. Greva e specializantëve privatë është grevë për një të nesërme më të mirë, nëse merr pjesë në çdo formë mobingu dhe presioni, po merr pjesë në shkatërrimin e sistemit shëndetësor, pjesë e të cilit edhe ti vetë dhe e kalon gjithë jetën e punës në të. Përpara se të jemi mjekë jemi intelektualë dhe njerëz nderi, qëndroni në krahun e duhur, qëndroni me specialistët privatë!”, deklaruan për Portalb.mk nga Shoqata e mjekëve specializantë.

Specializantët privat thonë se kanë më shumë se 8 muaj që kërkojnë të plotësohen kërkesat e tyre. Revolta për injorimin e kërkesave të tyre rezultoi me një protestë masive në mars të këtij viti. Nën moton “pagë dhe jetë dinjitoze për të gjithë SPECIALISTËT privatë!!!”, më 27 mars Shoqata e Mjekëve Specializantë protestoi para Ministrisë së Shëndetësisë. Qëllimi i protestës ishte kthimi i dinjitetit të mjekëve të rinj, përmirësimi i kushteve të jetesës për mjekët e rijnë. Duke u rregulluar këto kushte bazike mjekët e rijnë besojnë se do të parandalohet migrimi masiv i mjekëve të rinj në vendet evropiane dhe në këtë mënyrë  do të parandalohet dhe kolapsi i shëndetësisë për shkak të mungesës së kuadrove mjekësore.

Fotografi nga Shoqata e mjekëve specializantë - 27 Mars 2024 / Burimi i fotografisë: Profili zyrtar i tyre në Facebook
Fotografi nga Shoqata e mjekëve specializantë – 27 Mars 2024 / Burimi i fotografisë: Profili zyrtar i tyre në Facebook

Eksodi i personelit mjekësor nga RMV-ja vazhdon të mbetet shqetësues

Largimi i mjekëve nga Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet mjaftë shqetësues. Nga Shoqata e mjekëve të Maqedonisë thonë se rreth 250 mjek çdo vit largohen nga vendi për kushte më të mira.

“Të rinjtë po largohen jashtë shtetit. Një e treta e specialistëve të gjinekologjisë që përfundojnë specializimin largohen. Pagat dhe kushtet tek ne janë këto që janë. Por nëse gjejnë një specializim të mirë, nëse kalojnë testin e gjuhës, largohen. Ka të rinj, por numri është në rënie, ndërkohë që duhet të rritet. 20 vjet më parë kishim 18.000 mjekë, tani kemi 6.000. Se si të zgjidhet kjo punë, kjo është detyrë e administratës shtetërore, e autoriteteve”, deklaroi Goran Dimitrov, nga Shoqata e mjekëve të Maqedonisë.

Largimin e mjekëve të rijnë për Portalb.mk e konfirmon dhe Dr. Georgieva, kryetare e Shoqatës së mjekëve specializantë.

“Një numër i madh mjekësh dhe personeli tjetër shëndetësor migrojnë jashtë vendit për të gjetur veten në një sistem që u ofron atyre mundësi më të mira zhvillimi në karrierë. Përveç zhvillimit të karrierës, një faktor i madh për migrimin janë pagat, të cilat në vendet e Evropës Perëndimore, të cilat ndryshojnë nga vendi në vend, janë më shumë se pesë herë më shumë se pagat në RMV. Në emër të ndershmërisë, i ashtuquajturi ikja e trurit nuk është problem vetëm në Maqedoni, por edhe në shumë vende më të zhvilluara, fokusi dhe synimi ynë duhet të jetë që të mundësojmë kushte të barabarta pune për të gjithë mjekët e rinj sipas një sistemi të drejtë dhe meritor. Të krijojmë një hartë të nevojave për personel dhe të zbatojmë punësimin e planifikuar të të gjithë kolegëve të mbetur të specializimit privat për t’i mbajtur ata brenda kufijve tanë”, thekson Aleksandra Georgieva.

Përveç mjekëve, tejet i lartë është edhe numri i infermiereve që largohen nga vendi. Vetëm vitin e kaluar, rreth 2,000 infermiere lanë punën dhe shkuan jashtë vendit. Sipas të dhënave të fundit rreth 12 infermiere në muaj largohen nga RMV. Ato kërkojnë rekomandime nga shoqatat dhe spitalet ku punojnë. Më së shpeshti shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, por gjithnjë e më shumë edhe në Kroaci.