Merko premtoi investim në menaxhim efektiv me mbetjet, por në Strugë është ende aktive deponia e egër

Në garën për të parin e Komunës së Strugës qeverisja e blertë ishte një ndër zotimet kryesore elektorale e kryetarit aktual, Ramis Merko. Përderisa situata ekologjike në Komunën e Strugës duket pesimiste, autoritetet lokale nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për ta informuar publikun me të dhëna konkrete se çfarë hapash janë ndërmarr në këtë drejtim. Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe nga bashkëbisedimi me qytetar e aktivist, Portalb.mk konkludon se ky premtimi për qeverisje të blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.

Screenshot nga programi zgjedhor "Agjenda e Blertë" për Strugën
Screenshot nga programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” për Strugën

Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” 2021-2025 kreu aktual i Komunës së Strugës Ramis Merko u zotua se Komuna do të qeveriset bashkë, blertë, mençur, pastër, hapur, drejt dhe fer. Një ndër 5 përbetimet kryesore të garuesit nga radhët e BDI-së në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Strugës ishte “Agjenda e Blertë” që nënkupton: Investim në menaxhim efektiv me mbeturinat, përfundim i rrjeteve të kanalizimit dhe ujit të pastër për pije, gazifikim, shtigje vrapimi dhe çiklizmi, më shumë gjelbërim më shumë parqe.

Për ta informuar opinionin me të dhëna të detajuara se çfarë është bërë në realizimin e premtimit në fjalë redaksia jonë dërgoi kërkesë për informacion deri te Komuna e Strugës, megjithatë nga ky institucion nuk iu përgjigjën kërkesës sonë. Më 10 tetor Portalb.mk, me disa pyetje konkrete u drejtua edhe deri te dy institucione tjera lokale relevante, NP Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë dhe NP Komunale Strugë, por përgjigje nga këto dy institucione nuk kemi marrë akoma. Gjithsesi, bazuar në postimet aktuale që këto dy ndërmarrje publikojnë të rrjetet sociale mundet të kuptohet se në Strugë akoma nuk është përfunduar ndërtimi i rrjeteve të kanalizimit dhe ujit të pastër për pije.

Sa i përket menaxhimit efektiv me mbeturinat nga ajo që shikohet në terren nuk mundet të thuhet se Komuna e Strugës ka bërë ndonjë investim konkret për ta përmirësuar gjendjen. Në Strugë nuk bëhet slektim dhe riciklim i mbetjeve. Shqetësues është edhe fakti se në Strugë vazhdon të jetë funksionale deponia e egër e qytetit, përderisa dhe dhjetëra deponi të egra më të vogla janë të shpërndara nëpër territorin e qytetit.

Aktivisti dhe avokati Gligor Qatoski, i cili është i përfshirë në problemin e menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Strugës që nga viti 2017, thotë Agjenda e gjelbër ka mbetur vetëm si slogan në një fushatë elektorale dhe se në terren nuk kanë parë asgjë konkrete.

“Komunës së Strugës i mungon seriozisht një qasje e integruar për menaxhimin e mbeturinave që nënkupton selektimin parësor në nivel të amvisërive dhe personave juridikë (kompani dhe firma), grumbullimi i mbetjeve të përzgjedhura siç duhet. Përzgjedhja dytësore e mbetjeve në deponi, riciklimi i mbetjeve të përzgjedhura pastaj depozitimi i vetëm 10% të totalit të mbeturinave në një deponi rajonale me lokacion që nuk do të jetë në territorin e Komunës së Strugës, Debarcës apo Ohrit. Sipas planit të fundit për menaxhimin e mbeturinave 2020-2030 në territorin e Komunës së Strugës duhet të ekzistojë një stacion transferues në të cilin mbetjet që nuk mund të riciklohen do të shtypen në një kapacitet të përshtatshëm kub dhe do të transferohen në një deponi rajonale, në vend të kësaj, në territorin e Komunës së Strugës, kemi më shumë se 20 deponi të egra që shfrytëzohen në mënyrë aktive për deponimin e të gjitha llojeve të mbeturinave përfshirë këtu mbeturinat komunale, mbetjet shtazore dhe madje edhe mbetjet mjekësore. Kam të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik – Ohër, i cili është përgjegjës për territorin e Komunës së Strugës, me shifra konkrete, ku është shënuar rritje e ndjeshme e numrit të personave që vuajnë nga sëmundje malinje dhe komplikime të shtatzënisë”, Gligor Qato, aktivist nga Struga.

Gjatë këtij mandati nuk është bërë përurimi i ndonjë shtegu të ri për ecje apo biçikleta. Projekti i fundit i realizuar në këtë drejtim është diku nga fundi i vitit 2021, pra në prag të zgjedhjeve lokale.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren në qytetin e Strugës, Portalb.mk konkludon se premtimi se Komuna do të udhëhiqet blertë duke pasur parasysh këtu: Investim në menaxhim efektiv me mbeturinat, përfundim i rrjeteve të kanalizimit dhe ujit të pastër për pije, gazifikim, shtigje vrapimi dhe çiklizmi, më shumë gjelbërim më shumë parqe, nuk është realizuar.

BURIMET
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 48, verifikuar më 16.10.2023
* Postim në llogarinë zyrtare të Komunës së Strugës në Facebook – “Ndërtimi i shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta rreth liqenit”
*postim në llogarinë zyrtare të NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”-Strugë vazhdojnë me punimet në terren.