Tetori rozë në Tetovë: Kontrollet e rregullta dhe detektimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëtojnë jetë

Në Maqedoninë e Veriut shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje te gratë nga viti 2010 e këndej është kanceri i gjirit. Numri i vdekjeve që nga viti 2018 e këndej është gjithnjë e në rritje. Për të detektuar këtë sëmundje sa më parë, sot në sheshin e Tetovës pati aktivitet ndërgjegjësues për mënyrat se si mund të parandalohet kjo sëmundje dhe mënyrat e detektimit të hershëm, shkruan Portalb.mk.

Aktiviteti ndërgjegjësues nga shoqata Alumni maqedonaso-amerikane në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të mjekësisë së Tetovës njoftoi nga afër qytetarët me kancerin e gjirit.

Mesazhi kryesor dhe këshilla që u theksua ishte se kontrollet e rregullta dhe detektimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëtojnë jetë.

Profesori universitar, Bashkim Ziberi theksoi se tentojnë që të sensibilizojnë shoqërinë për një sëmundje e cila është shkaktari numër një për sa i përket vdekjes nga sëmundjet kancerogjene në vend.

“Statistikat e vitit të kaluar i pamë që numri i vdekshmërive nga kanceri i gjirit është në rritje nga viti në vit dhe një nga elementet kryesore është preventiva e hershme, gjegjësisht kontrollet e hershme”, tha Ziberi.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se sensibilizimi i qytetarëve për të diagnostikuar apo për të bërë kontrolle të rregullta që të mundet në kohë të identifikohen mundësitë e paraqitjes së kancerit, veçanërisht kancerit në gji është i një rëndësie të madhe.

“Pjesa e parandalimit ka të bëjë me pjesën e njoftimit paraprak të qytetarëve për mundësitë e diagnostikimit të hershëm dhe mundësitë që shërimi të jetë më i mirë, më në kohë edhe më i plotë”, tha Kasami.

Në bazë të statistikave zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanceri i gjirit është një ndër sëmundjet që prin, kështu thotë drejtori i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, Binas Pajaziti.

“I ftojmë të gjithë gratë që të marrin guximin dhe të shkojnë në kohë të bëjnë kontrolle pavarësisht a ndjejnë simptome ose jo, me të vetmin qëllim që kjo mos të jetë e vonuar”, tha Pajaziti.

Ndryshe, muaji tetor në botë njihet si muaji rozë, apo muaji për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.

Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve për kontrolle më të shpeshta për eho dhe mamografi, për një numër të madh të grave në Maqedoninë e Veriut është pothuajse e pamundur që të arrihet te një termin për mamografi ose eho, veçanërisht në spitalet shtetërore, gratë presin me muaj për të marrë një termin. Si rezultat i kësaj, shumë gra detyrohen që për të njëjtat shërbime të paguajnë nëpër spitale private.