Osmani: Politikanët e papërgjegjshëm rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë intervistës së sotme për “Slloboden Peçat”, komentoi dhe përshëndeti vendimin gjeopolitik të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me Ukrainën, duke theksuar: “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të shqetësuar nga vendimi pozitiv i BE-së për Ukrainën, por nga politikanët që, duke mos miratuar amendamentet e nevojshme kushtetuese, rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht”, transmeton Portalb.mk.

Sipas Osmanit, kjo do të nënkuptonte një bllokim afatgjatë të shtetit në rrugën e integrimeve evropiane, gjegjësisht rreth çështjeve më të rëndësishme për qytetarët: për standardin, për vendimin e tyre nëse do të qëndrojnë këtu apo do të shkojnë jashtë vendit, për vendet e punës, për pagat e tyre, për shëndetësinë, për arsimin.

“Të zgjuarit mësojnë nga gabimet e të tjerëve, ndërsa jo të zgjuarit nga gabimet e tyre. Ne e vendosim veten në një situatë ku nuk mësojmë nga gabimet tona. Ne po lejojmë disa forca të errëta – nacionaliste, të rrëmbejnë të ardhmen tonë për agjenda personale. Jam i sigurt se më vonë do të gjejmë zgjidhje, sepse kohët nuk janë të Bukureshtit 2008, por teorikisht rreziku është që të humbasim edhe një dekadë”, theksoi Osmani, duke u bërë thirrje partive opozitare që të mos qëndrojnë indiferente në këto kohëra kritike për të ardhmen e vendit, që të mendojnë për gjeneratat e ardhshme në vend, që të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme.

Krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së  gjatë Samitit të BE-së me 14 nëntor, në kuadër të debatit për zgjerimin e BE-së miratuan konkluzionet për procesin për vendin tonë, duke treguar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, sapo vendi të ketë zbatuar zotimin e tij për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në vendimet e Këshillit të BE-së të datës 18 korrik 2022.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.