Taravari u bë pishman, do të garojë për president si kandidat i opozitës shqiptare

Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe i Komunës së Gostivarit do të jetë kandidat për president nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike). Pavarësisht se Taravari para dy javësh tha se nuk ka pranuar të jetë kandidat, sot nga sheshi i Gostivarit edhe zyrtarisht u shpall kandidatura e tij. Taravari theksoi se ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të ketë president shqiptar jo vetëm teknikisht, por realisht, shkruan Portalb.mk.

Taravari në prani të liderëve të Lidhjes Evropiane për Ndryshim theksoi se kandidatura e tij vjen me propozim të kryesisë së Aleancës për Shqiptarët dhe mbështetjen e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim, ndërsa këtë vendim e ka marrë mbrëmë.

“Duke ju kthyer betimit tim kur mora titullin mjek, u zotova se në ushtrimin e profesionit tim nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore e askujt. Këto fjalë dua që t’i mbani mend mirë sepse shprehin thelbin e kuptimit tim edhe për detyrën që një President duhet të ketë ndaj njerëzve të shtetit të tij. Jam i sigurt në përkrahjen tuaj. Pres me respekt votën e çdonjërit prej jush. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një President Shqiptar, jo teknikisht por realisht”, tha Taravari.

Ai pret që brenda një ose dy ditëve të mblidhen dhjetë mijë nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e tij.

Taravari për Portalb.mk para dy javësh deklaroi se nuk ka pranuar të jetë kandidat për president shqiptar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai aso kohe tha se kjo ishte biseduar si mundësi, por që nuk e ka pranuar.

Ndërkaq sot i pyetur për motivet të cilat çuan që të pranojë këtë kandidaturë theksoi se bashkërisht me partnerët e koalicionit e kanë vendosur mbrëmë.

“Oferta ka pasur prej para një muaji, një muaji e gjysmë, unë kam thënë se s’jam i interesuar por në bisedat që kemi bërë bashkë me partitë e opozitës, bashkë edhe me miq, shokë dashamirë të cilët ia mendojnë të mirën këtij vendi erdhëm në konkluzion se ky do ishte një prej opsioneve më të mira, jo se nuk ka, ka mundësi edhe njëqind opsione më të mira, por për momentin vendosëm që të dal unë. Vendimin e kam sjellë mbrëmë në orët e vonshme”, tha Taravari.

Ndër të tjera ai theksoi se kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i ka ofruar të zgjedhë nëse do të jetë kandidat për president apo bartës liste në zonën gjashtë.

“Por, sipas analizave që i bëmë së bashku me miq, shokë, dashamirë dhe njerëz që kanë sens se si duhet të veprohet, unë zgjodha të jem kandidat për president, kurse Kasami bartës në zonën numër 6”, tha Taravari.

Ai tha se do vazhdojë të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Komunës së Gostivarit, ndërkaq nëse zgjidhet si president do të tërhiqet nga ky pozicion.

“Edhe pse të dy kur e kemi biseduar nuk kemi interes për tu bërë deputet, as unë as deputet as president nuk kam pasur interes, thjesht ta sjellim ndryshimin, edhe ai (Kasami) sipas meje do të vazhdojë dhe sipas tij si kryetar komune sepse e ka marrë mandatin prej qytetarëve për katër vjet, si e kam marrë edhe unë. Kështu që bisedimet tona kanë qenë jashtëzakonisht korrekte”, tha Taravari.

I pyetur nëse do të kërkojnë përkrahje nga partitë maqedonase dhe nëse kanë bisedime, Taravari tha se kërkojnë përkrahje nga të gjithë, pa përjashtim.

“Prej partive tjera politike pavarësisht përkatësisë etnike të këtyre partive, kërkojmë përkrahje prej shoqatave joqeveritare, prej grupeve të ndryshme të organizimeve, por para se gjithash prej popullit dhe prej shqiptarëve”, tha Taravari.

Ai përfundoi se i kanë hyrë garës dhe se janë të gatshëm të ballafaqohen me të gjithë kundër kandidatet.

Me 14 shkurt 2024 kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski i shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.