BDI propozoi Bujar Osmanin kandidat për president, kushtëzim me ndryshimet kushtetuese dhe presidenti të zgjedhet në Kuvend

Bujar Osmani, ministri i Jashtëm aktual do të jetë kandidati për president nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti i cili mes tjerash ka kushtëzuar se nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie e cila nuk do miratojë ndryshimet kushtetuese që janë parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ahmeti mes tjerash tha se nisin referendumin që presidenti të zgjidhet në Kuvend me dy të tretat e votave, shkruan Portalb.mk.

Ahmeti theksoi se në këto zgjedhje kanë vendosur që të futen kërkesën për ndryshimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit dhe zëvendës presidentit të shtetit në Kuvend, përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Kushtetutë, si dhe t’i thuhet jo Rusisë, e po Evropës.

“Para jush po bëj zotimin e njëmendtë që ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t’i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se me Bujar Osmanin po e fillojnë referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin e elektoratit që të zgjedhon presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter për të realizuar vizionin për President konsensual.

Fjalimin e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Kandidatët për president 

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga kryesia e lartë e LSDM-së në pushtet mori përkrahje për mandatin e dytë. LSDM-ja informoi se në mbledhje të kryesisë është vendosur që Stevo Pendarovski të përkrahet si kandidat për kryetar të shtetit. Ky vendim do t’u prezantohet anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë. Siç njoftoi kjo parti, janë planifikuar takime me partnerët e koalicionit për ditët në vijim, ndërsa konventa zyrtare promovuese do të mbahet më 3 mars 2024.

Ndërsa kandidati i vetëm i regjistruar në njoftimin publik të VMRO-DPMNE-së është deputetja Gordana Siljanovska Davkova. VMRO-DPMNE njoftoi se në shpalljen publike të partisë për kryetare të shtetit ka aplikuar Gordana Siljanovska-Davkova. Kandidimi i saj do të vendoset nga delegatët e Konventës për përzgjedhjen e një kandidati presidencial, e cila do të mbahet më 2 mars 2024.

Pendarovski dhe Siljanovska Davkova ishin kundërshtarë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, në raundin e parë dhe në raundin e dytë , kur kreu aktual i shtetit fitoi në raundin e dytë.

Kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike).

Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Bujar Osmani Arben Taravari
Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Bujar Osmani Arben Taravari

E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.

Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt.

Kryesia qendrore e GROM-it i dha përkrahje kryetarit të partisë, Stevço Jakimovski.

Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM.

Kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.

Afatet

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë fillon të premten më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 8 mars, sipas orareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars në mesnatë. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.