Maksim Dimitrievski do të kandidojë për president

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski do të jetë kandidat për president nga Lëvizja “Znam”, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi i partisë, Nikolla Memoc deklaroi se nga nesër do të fillojë procedura për mbledhjen e nënshkrimeve.

“Analiza jonë tregon se Dimitrievski do të hyjë në rrethin e dytë, që më pas të kemi edhe fitore përfundimtare. U bëjmë thirrje qytetarëve ta mbështesin kandidaturën e Dimitrievskit në zyrat komunale të KSHZ-së”, tha Memov.

Partitë i shpalosën kandidatët e tyre

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka informuar se është vendosur që presidenti aktual Stevo Pendarovski të përkrahet si kandidat për president.

VMRO-DPMNE-ja njoftoi se deputetja Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë kandidate për presidente.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kandidat për president do të jetë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Arben Taravari do të jetë kandidat nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike).

E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.

Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt.

Kryesia qendrore e GROM-it i dha përkrahje kryetarit të partisë, Stevço Jakimovski.

Kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.

Afatet

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë fillon të premten më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 8 mars, sipas orareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars në mesnatë. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.