RMV, zyrtarisht u shpallën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale

Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski sot pasdite zyrtarisht ka shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

“Sipas nenit 63 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet për deputetë në Kuvend mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit të përbërjes së vjetër parlamentare ose në afat prej 60 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Neni 81 i Kushtetutës parashikon se zgjedhja për President të Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm”, njoftoi kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, duke paralajmëruar që afatet fillojnë të rrjedhin nga dita e publikimit të Vendimit për shpallje e zgjedhjeve në “Gazetën Zyrtare”.

Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor, dërgohet te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i cili do të miratojë afate me të cilat do të fillojnë veprimet zgjedhore. Fushata për zgjedhjet presidenciale pritet të nisë në fillim të prillit dhe të përkojë për disa ditë me fushatën për zgjedhjet parlamentare. Sipas sqarimeve të KSHZ-së, do të ketë afate të veçanta për zbatimin e veprimeve zgjedhore për të dy proceset zgjedhore.

Në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 28 janar të këtij viti, 100 ditë para zgjedhjeve, është formuar qeveria teknike, kryetar i së cilës është Talat Xhaferi. Ai do ta menaxhojë atë deri në zgjedhjen e një qeverie të re politike.

Qeveri teknike zakonisht krijohet për të kryer një (një) detyrim specifik, për një periudhë kohore të përcaktuar saktësisht, me fuqi vendimmarrëse rreptësishtë të kufizuara. Kryeministri teknik nuk mund të përdorë “të drejtat” e qeverisë politike – të propozojë ambasadorë, drejtorë të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qeverisë, anëtarë në borde drejtuese.