Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë u promovua edhe nga pushteti lokal edhe ai qendror, por një pjesë e rrugës ende mbetet e pa asfaltuar

Komuna e Tetovës sot promovoi asfaltimin e një pjese të rrugës “Vëllezërit Milladinov”. Megjithatë, një pjesë e kësaj rruge me muaj të tërë ka ngelur pa asfalt. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thekson se aty ka vonesa për shkak se projekti është në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, raporton Portalb.mk.

Rikonstruimi i rrugës “Vëllezërit Milladinov” bëhet nga dy segmente.

Pjesa nga Burgu i Tetovës e lartë prej rreth 500 metrave u bë nga Komuna e Tetovës, të cilën edhe e promovuan sot.

“Edhe pse kjo u keqpërdor për politikë me idenë se nuk janë bërë punimet si duhet, sot veç më kjo rrugë është përfunduar”, tha Kasami.

Ndërsa pjesa e rrugës nga Bulevardi “Ilinden” teposhtë deri në bulevardin “V.S. Bato”, bëhet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Me 6 maj, kjo rrugë u promovua edhe nga pushteti qendror. Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve,  Bekim Rexhepi së bashku me funksionarë nga BDI promovuan fillimin e punimeve të një segmenti të kësaj rruge, e cila u asfaltua nga Bulevardi “Industrial” deri te Shkolla Tekstile. Ndërsa pjesa nga aty e lartë për në Bulevardin “Ilinden” ende është e pa asfaltuar dhe në gjendje të keqe.

Kryetari i Komunës së Tetovës sot tha se për pjesën e mbetur ka vonesa për shkak se kjo realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit.

“Atje për shkak se punimet bëhen në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, pra është financim i projektit për zhvillim të baraspeshuar rajonal ku në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit financohet infrastruktura e një pjese rrugore. Për shkak të komplikimeve që vendimmarrja atje nuk është vetëm e komunës por është në bashkëpunim edhe me ministrinë, ne e shohim se aty vonohen punët. Aty ku ka qenë përgjegjësi e komunës ne kemi bërë asfaltimin”, tha Kasami.

Pyetëm në Ministrinë e Transportit se kur do përfundojnë punimet në pjesën e mbetur të rrugës, por nga atje deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Rruga "Vëllezërit Milladinov" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lëvizja në pjesën e paasfaltuar të kësaj rruge është e vështirë pasi aty janë hapur punimet, me muaj të tërë qytetarët lëvizin në rrugën plot me gropa dhe baltë, ata disa here për Portalb.mk janë ankuar për këtë gjendje.

Ndryshe, punimet në rrugën “Vëllezërit Milladinov” filluan në verën e vitit 2023.