Opozita shqiptare në RMV nënshkroi Deklaratë për bashkim për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe partitë e koalicionit opozitar  “Lidhja Evropiane për Ndryshim”, Lëvizja demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, si dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni, sot nënshkruajtën Deklaratë për bashkim në virgjile të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, duke u quajtur kështu “VLEN” njofton Portalb.mk.

Në Deklaratën që e nënshkruajtën liderët i ASH-së, Arben Taravari, i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i Alternativës, Afrim Gashi, i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni, Bekim Qoku, ata theksojnë se “vendosin themele të erës së re te partitë shqiptare në shtet”. Kandidat presidencial i katër partive për zgjedhjet presidenciale do të jetë Taravari.

Taravari si kandidat për president i opozitës shqiptare tha se nuk duhet përmendur emra partish por duhet quajtur Lëvizja, sepse ky bashkëpunim do të bëj ndryshimin historik në bllokun shqiptar.

“Kundërshtari jonë është sistemi i kalbur, kurse ne jemi opozita e bashkuar dhe nuk duhet përmendim emra partish e inidvidësh, por që Lëvizja po vjen dhe do ta sjell ndryshimin me 8 maj”, tha Taravari.

Kasami tha se ndodhemi në një moment të rëndësisshëm historik. Moment ky, potencoi ai, që do të bëhet ndryshimi i shumë pritur.

“Këtë ditë më madhështore e bëri Taravari duke iu bashkuar Lidhjes i cili e ka vetëm një qëllim NDRYSHIMIN.
Prandaj bashkimi i ASh-së me LEN ia VLEN dhe se të gjithë po vulosim një të ardhme plotë shpresë, e ardhme me rrugë të vetme Bashkimin Europian. Lidhja që po ndodh sot është LIDHJA më e madhe e shqiptarëve në Ballkan. Kjo lidhje bën bashk shqiptarët e Maqedonisë me ata të Kosovës, shqiptarët që si pjesë e natës kontribojnë në paqeruajtjen në Ballkan”, theksoi Kasami.

Mexhiti e ka theksuar rëndësinë e kësaj dite, rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit të opozitës shqiptare.

“Nëse këtij bashkimi nuk i bashkohet rinia shqiptare që me 24 prill të dëshmojmë se ky shtet ka dy shumica dhe dhjetra pakica dhe se ne kemi kapacitet që të kandidojmë për president me zotëri Taravari”, tha Mexhiti dhe kërkoi që të mbështet edhe nga subjektet tjera shqiptare.

Bekim Qoku, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni tha se ndryshimi në RMV do të ndodhë ashtu siç ndodhi në Kosovë.

“Ne mund të themi se Ndryshimi tashmë ka filluar. Si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje e di çfarë është ndryshimi shumë i madh, çfarë është ndryshimi i vërtet sipas modelit të Kosovës. Prandaj mendoj se edhe këtë ndryshim mund ta sjellim sëbashku me ju. Albin Kurti dhe Vetëvendosja si kërkush tjetër e di se ndryshimi mund të ndodhë”, tha Qoku.

Me 14 shkurt 2024 kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski i shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.