Dy grupet e Aleancës për Shqiptarët akuzohen mes vete për jolegjitimitet dhe falsifikime

Akuzat midis dy grupeve në Aleancën për Shqiptarët kanë vijuar edhe sot. Grupi i pozicionuar në krah të Arben Taravarit sot kanë akuzuar grupin e Ziadin Selës për shkelje statutore dhe ligjore, falsifikime dhe vepra penale. Ndërkaq, nga grupi që përkrah Selën reaguan duke i konsideruar këto si të pavërteta dhe manipuluese, shkruan Portalb.mk.

Azir Aliu nga grupi i Taravarit theksoi se në Kuvendin e mbajtur të partisë me 10 shkurt 2024 në Shkup nga grupi që mbështesin Selën janë bërë një serë shkeljesh statutare dhe ligjore.

“Thirrja e Kongresit të jashtëzakonshëm që duan ta organizojnë ditën do të bëhet sipas procedurës së pikës së 2-të, meqë Kryetari Taravari nuk ka bërë kërkesë. Lirisht mund të konstatojmë se është shkelje e rëndë e Statutit të partisë për shkak se në thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e Kuvendarëve, por kanë votuar vetëm 69 kuvendarë, ndërsa kjo shkelje përbën vepër penale për shkak të manipulimit të listës së kuvendarëve”, tha Aliu.

Ai shtoi se Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari ka shumicën në Kongres, Kuvend dhe në Kryesi dhe çdo vendim i sjellë nga organet e partisë është sipas Statutit.

“Përveç shkeljeve statutare që janë konfirmuar dhe që janë në proces të konfirmimit, vendimet e nxjerra nga i ashtuquajturi Kuvendi i 10 shkurtit 2024, mund të përbëjnë edhe vepra penale në rast se vërtetohet se për iniciativën për shkarkim të Kryetarit, si dhe për thirrjen e Kongresit nuk kanë votuar 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë”, tha Aliu.

Përfaqësuesi ligjor i Aleancës për Shqiptarët, Abidin Abduli theksoi se Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt, përveç se është jolegjitim, ai ngërthen edhe shumë elemente të veprave penale.

“Në proceverbalin e Kongresit i cili është mbajtur më 27 mars 2022 nga kuvendarët e zgjedhur në atë kongres, pastaj nga kuvendarët e zgjedhur më 17 shtator 2022 dhe më 21 janar të vitit 2023, rezulton se shumica e kuvendarëve të regjistruar nuk kanë marrë pjesë në atë kuvend. Unë, para jush, kam deklaratat e dhëna në noter nga 70 kuvendarë të regjistruar të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin e mbajtur më 10 shkurt të këtij viti. Me këtë mund të konstatojmë se Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk ka pasur 2/3 e mjaftueshme për të thirrur Kongres më 18 shkurt dhe Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk ka pasur as gjysmën e kuvendarëve të regjistruar, kështu që ai Kuvend është jolegjitim dhe i falsifikuar”, tha përfaqësuesi ligjor i Aleancës për Shqiptarët, Abidin Abduli.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar krahu i Ziadin Selës, nga ku thonë se deklaratat e bashkë partiakëve të tyre janë të pavërteta dhe tentim për manipulim.

“Kuvendin e thërret Kryetari i Kuvendit, ndërsa sa për konsultim me kryetarin e partisë, e kemi pritur dy muaj të thërret Kryesinë, e kemi pritur me javë për takim, por paraprakisht edhe jemi konsultuar. Jolegjitim dhe ilegal është tubimi i thirrur në Kumanovë ku nuk pati as ftesë, as procesverbal, as vulë, as firmë, as edhe një procedurë statutare. Sa i takon Kongresit, atë e thërret Kryetari i partisë, ose 2/3 e kuvendarëve. Kongresin e thirrën 2/3 e kuvendarëve të pranishëm në Kuvendin e vetëm legal të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela. Për falsifikime të nënshkrimeve dhe kuvendarëve është dëshmitarë i gjithë opinioni, përmes dëshmive të vetë kuvendarëve të cilët edhe publikisht dolën dhe treguan se nënshkrimi i tyre është keqpërdorur në Kumanovë nga njerëz të paautorizuar. E kjo, po që paraqet vepër penale”, theksuan nga grupi i Selës në Aleancën për Shqiptarët.

“Në radhë të parë nuk janë ftuar delegatët e Kongresit, as zyrtarët më të lartë, as deputetët, as shumica e delegatëve, që tregon se po përgatitet falsifikimi i radhës. Përveç kësaj, në nenin 28 të Statutit thuhet se me punimet e Kongresit, deri në momentin e zgjedhjes së kryesisë së punës, udhëheq Sekretari i përgjithshëm. Kush do ta hapë dhe udhëheq të ashtuquajturin Kongres që do të mbahet sot? Duam të njoftojmë mbarë opinionin, anëtarët e Aleancës për Shqiptarët dhe delegatët e Kongresit, se mbledhja e sotme është jolegjitime dhe jolegale. Kongresi i vetëm legal mbahet të dielën, më 18 shkurt, me fillim në ora 13:00 në sallën e Operas dhe Baletit në Shkup. Çdo thirrje tjetër është shkelje statutare dhe mbledhje joligjore”, thonë nga ASh-ja rreshtuar krah Ziadin Selës.

Ata theksojnë se për Kongresin të thirrur nga grupi i Taravarit për sot, ka një sërë shkeljesh.

“ Në radhë të parë nuk janë ftuar delegatët e Kongresit, as zyrtarët më të lartë, as deputetët, as shumica e delegatëve, që tregon se po përgatitet falsifikimi i radhës. Përveç kësaj, në nenin 28 të Statutit thuhet se me punimet e Kongresit, deri në momentin e zgjedhjes së kryesisë së punës, udhëheq Sekretari i përgjithshëm. Kush do ta hapë dhe udhëheq të ashtuquajturin Kongres që do të mbahet sot? Duam të njoftojmë mbarë opinionin, anëtarët e Aleancës për Shqiptarët dhe delegatët e Kongresit, se mbledhja e sotme është jolegjitime dhe jolegale. Kongresi i vetëm legal mbahet të dielën, më 18 shkurt në Shkup. Çdo thirrje tjetër është shkelje statutare dhe mbledhje joligjore”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët të rreshtuar krah Selës.

Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët ka thirrur dy kongrese të jashtëzakonshme të partisë. Kryetari i partisë, Arben Taravari ka thirrur kongresin e jashtëzakonshëm sonte (16 shkurt) në Shkup.  Ndërsa kryetari i Kuvendit të partisë, Ziadin Sela ka thirrur kongresin e jashtëzakonshëm të dielën (18 shkurt) në Shkup.

Aleanca e përçarë

Aleanca për Shqiptarët është e përçarë në dy grupe. Kryetari i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim, në kuadër të këtij bashkëpunimi Taravari ai ka shpallur edhe kandidaturën e tij për president.

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën me 10 shkurt ka ngritur iniciativë për shkarkimin e kryetarit të ASh-së Arben Taravari. Me 18 shkurt është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, me të cilin pritet të marrë formë shkarkimi i Taravarit.

Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i cili i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”.

Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.