Ndryshimet për mbrojtjen nga dhuna ndaj grave presin mendimin e Qeverisë, Gashi premtoi procedim në Kuvend

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi e ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për vonesën e procedimit të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, të cilat janë dorëzuar në Kuvend që në gusht të këtij viti. Organizatat qytetare e vendosën Gashin në të ashtuquajturin “mur të turpit”, duke kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje se kur ndryshimet ligjore do të vendosen në rend dite. Sipas tyre, ndërkohë që ndryshimet presin, në vitin 2026 janë regjistruar shtatë raste të femicidit, transmeton Portalb.mk.

“Ndërsa ndryshimet ligjore presin, gratë po vriten. Tre muaj që nga paraqitja e ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Shtatë muaj që nga seanca mbikëqyrëse, pa përfundime të miratuara me masa, afate dhe përgjegjësi institucionale specifike. Ndërkohë, shtatë femicide në vitin 2026. Kërkojmë përgjigje publike, masa specifike dhe përgjegjësi politike!”, thonë nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Pas reagimeve, Gashi deklaroi se propozim-ndryshimet janë dërguar për mendim në Qeveri dhe se do të procedohen në Kuvend sapo të merret përgjigjja e saj.

Ai tha se bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme dhe se të gjithë bartësit e funksioneve publike dëshirojnë që ligji të miratohet sa më shpejt, në mënyrë që të zvogëlohet ose të eliminohet dhuna ndaj grave.

“Lidhur me ligjin që është në procedurë parlamentare, një mendim i është dërguar Qeverisë. Sapo të marrim një mendim nga Qeveria, do ta lëshojmë ligjin në procedurë parlamentare”, tha kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në brifingun e sotëm informativ.

Gashi gjithashtu bëri të ditur se Kuvendi ende nuk ka pranuar kërkesën e paralajmëruar nga LSDM-ja për mbajtjen e një seance urgjente për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, ndërsa VMRO-DPMNE-ja ka paralajmëruar se do ta mbështesë këtë iniciativë.

Ndryshe, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Rrjeti Nacional për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje dhe Platforma për Barazi Gjinore kërkuan moratorium për të gjitha ngjarjet protokollare dhe promovuese të institucioneve gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në vend të konferencave, ceremonive dhe aktiviteteve promovuese, organizatat kërkojnë vendime konkrete politike, përgjegjësi institucionale dhe mjete financiare për mbrojtjen e grave.

Organizatat theksojnë se gjatë këtij viti në vend kanë ndodhur shtatë femicide dhe e konsiderojnë të papranueshme që institucionet të vazhdojnë të organizojnë ngjarje për të promovuar sukseset e tyre, ndërkohë që gratë vazhdojnë të vriten, madje edhe në rastet kur dhuna është raportuar paraprakisht. Ato kërkojnë që 16 ditët e aktivizmit, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, të shfrytëzohen për masa konkrete dhe jo për mesazhe simbolike, si ndriçimi i institucioneve me ngjyrë portokalli.