Opozita kërkon shkarkimin e Azir Aliut: I mashtroi 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë 

Të dorëhiqet ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Këtë e kanë kërkuar partitë nga opozita, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit. Për shkak të se siç thonë, ai i mashtroi publikisht 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë duke i manipuluar për vendimet e punës. Nga VLEN reagimet e opozitës i konsiderojnë hipokrizi, transmeton Portalb.mk

Nga BDI thonë se Azir Aliu e demanton Azir Aliun. 

“Fillimisht njoftoi për punësime, pastaj i mohoi ato, duke dëshmuar se i gjithë procesi ishte një gënjeshtër politike për të fituar pikë elektorale mbi kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve të shëndetësisë. Ministri Aliu ka humbur çdo kredibilitet dhe nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Azir Aliut”, thanë nga BDI. 

Nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit thonë se ky nuk është thjesht abuzim politik, ky është krim i mirëfilltë elektoral, është korrupsion i pastër dhe përdhunim i dinjitetit të profesionistëve të shëndetësisë. 

“Në Spitalit Klinik të Tetovës me të madhe flitet se kandidatëve u është bërë presion i drejtpërdrejtë, duke u lënë të kuptohet se vetëm një votë për VLEN është bileta për të hyrë në punë. Ky është një akt i neveritshëm i shantazhit politik – një tradhti ndaj betimit të çdo mjeku dhe infermieri për t’i shërbyer jetës, jo politikës së pistë. Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të hapin menjëherë hetime penale dhe të ndëshkojnë pa mëshirë çdo zyrtar të përfshirë në këtë skemë të pistë. Punësimet duhet të bëhen tani, menjëherë, pa kushte politike, pa pazare zgjedhore, pa blerje votash”, thanë nga ASH-ja e Taravarit. 

Nga VLEN u janë përgjigjur këtyre reagimeve duke i konsideruar hipokrizi. 

“Nëse sot kemi nevojë për një Qendër Klinike moderne në Tetovë, kjo është pikërisht për shkak të neglizhencës dhe dështimit të BDI-së, e cila 20 vite ka marrë pushtetin me votat e qytetarëve dhe ka kthyer vetëm zhgënjim. Le të mos harrojmë: kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, në vetëm një vit nuk solli asnjë projekt madhor, por la pas vetëm skandale, nga tenderët e dyshimtë me firmën e Gjokës e deri te abuzimet me licencat për kanabisin mjekësor. Sot, ky tandem BDI–Taravari kërkon të japë leksione morali”, thanë nga VLEN. 

Ndryshe, ka kaluar një muaj e gjysmë dhe statusi i punës së infermierëve në Tetovë nuk u zgjidh siç premtoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Ndonëse konkursi u hap para disa ditëve, procedura është pezulluar për shkak të zgjedhjeve lokale.

Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor.

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.