Spitali i Tetovës premtoi rroga dhe kontrata deri në dhjetor, por protestat e infermierëve vazhdojnë: Duam vendime pune

Pas protestave të vazhdueshme të personelit mjekësor të Spitalit të Tetovës për rroga dhe vendime pune, sot atyre nga drejtori i spitalit u është premtuar se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. Megjithatë, personeli mjekësor nuk është i kënaqur me këtë zgjidhje, ata kërkojnë vendime pune, shkruan Portalb.mk

Infermierët, ku rreth 140 prej tyre janë pa rroga dhe me vite kanë punuar me kontrata dhe pa vendime dhe të cilët dy javët e kaluara protestuan, sot kanë qenë në takim me drejtorin e Spitalit të Tetovës, Agim Berishën i cili u ka thënë se një nga kërkesat e tyre do të plotësohen, ku do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe do të kenë kontratë në vepër deri në muajin dhjetor. 

Infermieret thonë se zgjidhje tani për tani nuk do ketë dhe ashtu si ju kanë premtuar. Ata thonë se do të vazhdojnë me protesta. 

“Më datë 4, ne i dorëzuam një kërkesë drejtorit, gjegjësisht institucionit ku ne punojmë. Njëra prej kërkesave ishte të marrim vendime të përhershme pune dhe tjetra ishte të paguajnë pagat e papaguara për muajt që ngecën. Gjithashtu të kemi edhe kontratë në vepër që ne të mos punojmë pa paga. Njëra prej kërkesave, ose e dyta, është pranuar nga institucioni ku punojmë, d.m.th drejtori na informoi neve me kontratë që do të kemi vazhdim të kontratave deri në muajin e 12. Kjo është një plus për ne. Megjithatë tha se për kërkesën e parë dhe më të rëndësishme t’i drejtohemi Ministrisë së Shëndetësisë, që kjo e fundit të bëjë kërkesë në Ministrinë e Financave që të aprovohen vendimet e punës. Tash për momentin, protesta jonë është e qetë dhe do të rrimë në heshtje, do të presim deri kur Ministria e Shëndetësisë të zgjidhë problemet e veta dhe pastaj të na japë përgjigje të saktë se çka me më tutje me ne që punojmë me kontrata në vepër. Për pagat e papaguara na informuan se do të lëshohen brenda kësaj jave. Pasi të lëshohe do të shohim se sa do të jenë, sepse deri tani kanë qenë nën minimalen”, deklaroi njëra prej infermiereve.

“Drejtori na informoi se do të na i paguaj rrogat. Problemi është se për vendimet ende nuk kemi informatë të saktë. Drejtori na tha për te unë nuk jeni, duhet të kaloni (ankoheni) në Ministri, se nuk jap unë vendime, Ministria vendos. Tani ne do të vazhdojmë në Ministri, do të kërkojmë të drejtat tona. Presim të zgjidhet ministrin dhe të kërkojmë të drejtat tona që na takojnë”, nënvizoi një infermiere tjetër.

Nga ana tjetër drejtori Agim Berisha konfirmoi, ashtu si infermieret, se pagat do tu paguhen, kontratat u janë vazhduar, por çështje e vendimeve mbetet ende pezull.

“Unë i pranova infermieret dhe i njoftova se me e kemi marrë pëlqimin nga Ministria e Financave dhe me këtë do të jenë të mbuluara me kontrata dhe rrogë deri në muajin e dymbëdhjetë 2025. Pagat do të paguhen nga muaji prill. Janë 139 persona me profile të ndryshme, do të përfshihen të gjithë. Kontratat janë të tilla, në vepër. Shpresojmë të kemi mirëkuptim me ministrin e ardhshëm, që t’ua rregullojmë këtë status”, theksoi Berisha.

Kjo erdhi pasi javën e kaluar infermieret dorëzuan në spital edhe kërkesë zyrtare në arkivin e spitalit për sistematizim të punëtorëve me kontrata në vepër në vendime të përhershme pune si dhe për pagesën e rrogave të papaguara. 

Kujtojmë që drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha para dy javëve theksoi se ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij muaji dhe se kjo çështje varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave. 

Ndërsa javën e kaluar, ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska ka thënë se Ministria e Financave është përgjigjur në kohë dhe pozitivisht për punësimet në Spitalin e Tetovës. Ajo u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që të respektojnë procedurën kur kërkojnë pëlqimin për punësim. 

Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. 

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër. 

Për shkak të largimit në opozitë, Arben Taravari dha dorëheqje nga ky funksion. 

Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Azir Aliu, ai pritet të merr këtë funksion sot.