Infermieret e Tetovës pauzojnë protestën: Nuk dorëzohemi, kërkojmë të drejtën tonë për punësim (Video) 

Personeli mjekësor i Spitalit të Tetovës sot dorëzoi kërkesë zyrtare në arkivin e spitalit për sistematizim të punëtorëve me kontrata në vepër në vendime të përhershme pune si dhe për pagesën e rrogave të papaguara. Sot, infermieret vendosën që të pauzojnë protestën, por thonë se nuk dorëzohen. Drejtori i spitalit Agim Berisha as sot nuk doli të flet para mediave, shkruan Portalb.mk. 

Edhe sot ka vazhduar protesta e punonjësve shëndetësor të Spitalit të Tetovës për zgjidhjen e statusit të tyre të punës, pasi rreth 140 prej tyre janë pa rroga dhe me vite kanë punuar me kontrata dhe pa vendime. 

Personeli mjekësor thekson se në mbarë botën protesta është e drejtë demokratike e çdo individi por për të kërkuar të drejtat e tij, por kjo dukshëm nuk vlen në vendin tonë. 

“Protesta jonë me vite ka qenë e heshtur dhe plot sakrifica, revolta jonë prej fillimi nuk ka qenë drejtoria dhe udhëheqësia. Ne me vite ballafaqohemi me ndryshime në stafin drejtues të këtij institucioni, çdo herë jemi bindur urdhrave të tyre, kemi mbuluar çdo kolaps në çdo repart, madje edhe në krizën e pandemisë. Por kurrë nuk e kemi marrë atë që e meritojmë”, tha një infermiere. 

Ajo shtoi se shkaku i mospërkrahjes nga organet kompetente të spitalit, kolegëve, sindikatave vendosën që ta ndërpresim dhe të tërhiqen në heshtje nga kjo protestë.

“Por kjo heshtje nuk do të thotë qe ne dorëzohemi dhe nuk vazhdojmë të kërkojmë të drejtën tonë për punësim. Do të presim përgjigje konkrete nga spitali dhe nga ministria e Shëndetësisë dhe Financave”, tha infermierja.

Një nga infermieret tjera kërkoi që kolegët me vendime të ju dalin në përkrahje. 

“Deri kur të arrijmë në përgjigje të saktë nga ana e drejtorit. Kisha një apel për të gjithë kolegët tonë me vendime që të na përkrahin. E kemi formuar grupin, e kemi arkivuar çfarë kërkonte motra kryesore. Ne duam drejtori të flasë. Unë jam infermiere me fakultet, e bëj punën e administratorit, pse duhet ta bëj unë punën administrative kur duhet të jem në urgjencë pranë pacientëve”, tha infermierja.

Drejtori i Spitalit të Tetovës Agim Berisha as sot nuk doli të flet para mediave, ngjashëm si dy ditët e kaluara. 

Sot madje nuk ishte as kryeinfermierja e cila dy ditët e fundit u deklarua në emër të drejtorit, e njëjta siç informuan infermieret ishte në pushim vjetor. 

Për këtë problem edhe pse të kontaktuar nga Portalb.mk, heshtin edhe nga Qeveria. 

Kujtojmë që drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha javën e kaluar theksoi se ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij muaji dhe se kjo çështje varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave. 

Ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska sot ka thënë se Ministria e Financave është përgjigjur në kohë dhe pozitivisht për punësimet në Spitalin e Tetovës. 

Ajo u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që të respektojnë procedurën kur kërkojnë pëlqimin për punësim. 

Ministrja sqaroi se procedura për kërkimin e pëlqimeve për punësim në rastin e punonjësve të kujdesit shëndetësor, është kështu: Ministria e Shëndetësisë i dërgon një letër Fondit të Shëndetësisë duke kërkuar pëlqime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kontrata pune, për periudhë të caktuar apo të pacaktuar, dhe prej andej i dërgohet letër Ministrisë së Financave, e cila kontrollon nëse ka fonde apo jo. Në rast se nuk ka, nuk ka përgjigje pozitive, dhe nëse ka fonde, afati për përgjigje është tridhjetë ditë. 

“Nuk ka ndodhur kurrë që të mos jemi përgjigjur brenda afatit kur bëhet fjalë për pëlqime pozitive”, tha ministrja.  

Ajo sqaroi se Fondi i Shëndetësisë është ai që kontrollon dhe luan rolin e Ministrisë së Financave kur bëhet fjalë për sektorin e shëndetësisë. 

“Në rastin konkret të Spitalit të Tetovës, përgjigja ishte në kohë dhe pozitive, përpara se ata të mund të fillonin, le të themi, të reagonin. Dhe, aty ku mbaroi gjithçka, kthehemi përsëri në të njëjtën mënyrë te Fondi i Shëndetësisë, pastaj nga Fondi i Shëndetësisë te ministria, pastaj nga ministria te Spitali në Tetovë…Supozoj se diku gjatë rrugës, deri në destinacionin përfundimtar, destinacioni përfundimtar është Spitali i Përgjithshëm i Tetovës, ndoshta është ndalur diku gjatë rrugës, ndonjëra nga institucionet”, tha Dimitrieska Koçoska. 

Lidhur me situatën e punonjësve shëndetësorë në Spitalin e Tetovës, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari javën e kaluar tha se ka kërkuar punësimin e tyre, por se VLEN e ka kundërshtuar. 

Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër.

Për shkak të largimit në opozitë, Arben Taravari dha dorëheqje nga ky funksion.

Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Azir Aliu, ai pritet të marrë këtë funksion më 12 qershor.