Fondi dha mendim negativ për punësimet në Spitalin e Tetovës, por Azir Aliu thotë se kontratat do nënshkruhen brenda 2-3 ditëve

Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka dhënë mendim negativ për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës, të cilëve ministri i Shëndetësisë Azir Aliu u premtoi zgjidhje pas protestave të tyre. Opozita akuzon se vendimi është i padrejtë dhe i motivuar politikisht nga pushteti, ndërsa Aliu sot tha se punonjësit do të marrin vendime pune, shkruan Portalb.mk. 

Më 14 korrik, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka dhënë mendim negativ për sigurimin e mjeteve financiare në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës, shumica e të cilëve janë motra medicinale të cilat punojnë me kontrata në vepër me vite. 

Lidhur me këtë rast kanë kritikuar partitë opozitare.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor.

“Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme. BDI kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rivendosjen e punonjëseve në vendet e tyre të punës me karakter të përhershëm”, thanë nga BDI. 

Nga Dega e Tetovës e Aleancës për Shqiptarët theksuan se ministri Azir Aliu i mashtroi punonjësit shëndetësorë. 

“Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Azir Aliu, ka dështuar rëndë… Ky është mashtrim publik me kamera. Premtim i dhënë, por i tradhtuar. Garanci e dhënë, por e braktisur. 

Kjo tregon qartë pafuqinë totale të Ministrit të Shëndetësisë për të ndikuar në vendimmarrjen institucionale. Nëse Ministri i Shëndetësisë nuk është në gjendje as të bindë Fondin për të përkrahur një vendim që vetë e ka iniciuar, atëherë është e qartë, Aliu nuk është Ministër, por një spektator i paaftë në një sistem që i përjashton shqiptarët”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët. 

Informacionin se 155 persona nuk do të punësohen në Spitalin e Tetovës ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu e quajti trillim.

“155 punonjës të Spitalit Klinik të Tetovës do të marrin kontrata të përhershme. Pikë. Procedura është e përfunduar”, tha Aliu.

Ai shtoi se procedurat administrative kanë mbaruar dhe se presin që brenda këtyre 2-3 ditëve të nënshkruhen kontratat. 

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.