Spitali i Tetovës e hapi konkursin për punësimin e personelit mjekësor, nuk ka garanci se do të pranohen të gjithë punonjësit me kontrata në vepër 

Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës ka hapur konkursin për pranimin e personelit mjekësor i cili do të zgjasë pesë ditë. Por, nuk ka garanci nëse do të pranohen të gjithë të punësuarit me kontratë në vepër në spital. Këto ditë pritet të hapet edhe konkursi për pranimin e personelit administrativ, shkruan Portalb.mk

Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi bëri të ditur se sot zyrtarisht Spitali Klinik i Tetovës ka shpallur konkurs publik për punësimin e 119 kuadrove të reja shëndetësore, ndërsa pjesa e ngelur administrative do të shpallet për një kohë shumë të shkurtër nga Agjencioni i Administratës. 

“Ky konkurs përbën numrin më të madh të punësimeve me vendime të përhershme që nga themelimi i Spitalit Klinik të Tetovës. Pozitat e shpallura përfshijnë: mjek të profileve të ndryshme, motra medicinale dhe infermierë, teknikë laborantë dhe personel teknik mjekësor, si dhe personeli administrativ”, tha Elezi. 

Konkursi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët të cilët i plotësojnë kushtet. 

“Përzgjedhja do të bazohet në bazë të kritereve profesionale, ne si drejtori do të ecim një proces të drejtë në të cilat ndikime politike nuk do të kemi. Përparësi do jetë përvoja e punës”, tha Elezi. 

Megjithatë, kur u pyet se a mund të ju garantojë punonjësve që kanë punuar me vite me kontrata në vepër se do të pranohen, Elezi tha se garanci nuk mund të ketë. 

Garanci ne nuk mund tu japim sepse konkursi është publik për të gjithë, por përparësi do të kenë ata që kanë punuar në Spitalin e Tetovës me kontratë në vepër”, tha Elezi. 

Konkursi do të jetë i hapur 5 ditë, ndërsa më pas do të vijojë periudha e selektimit dhe pastaj testimi nga Ministria e Shëndetësisë. 

Elezi tha se zgjedhjet lokale nuk do të pengojnë këtë konkurs dhe se procedurat do të mbyllen në kohë.

Ndërkaq theksoi se janë tejkaluar të gjitha pengesat administrative nga institucionet përkatëse përfshirë edhe Fondin Shëndetësor. 

Kujtojmë që paraprakisht Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte dhënë mendim negativ për sigurimin e mjeteve financiare në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës, shumica e të cilëve janë motra medicinale të cilat punojnë me kontrata në vepër me vite.

Ky rast bëri bujë në media dhe opinion si dhe shkaktoi përplasje politike midis opozitës dhe pushtetit.

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.