Mbi 100 infermiere dhe punonjës të tjerë nga Spitali i Tetovës në protestë: “Jemi pa rroga e pa kontrata”
Mbi 100 infermierë, administratorë dhe kuadro të tjera nga Spitali i Tetovës kanë dalë sot në protestë, pasi nuk kanë marrë rroga me muaj, por edhe me vite. Madje, shumica prej tyre, siç deklarojnë, kanë punuar edhe pa kontrata, transmeton Portalb.mk.
“Një vit kam pasur kontratë, tani nuk kam asgjë. Do vazhdojmë të protestojmë. Prej dy vitesh jam në punë”, thotë njëra nga infermieret.
“Katër vjet kam qenë pa kontratë, pa kurgjë, pastaj me kontratë, ndërsa tani nuk kemi asgjë. Do vazhdojmë të protestojmë derisa nuk ka zgjidhje. Kemi tentuar të bisedojmë (me ministra, drejtorët), por nuk kemi arrit”, shprehet një tjetër infermiere.
Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër. Arben Taravari, përshkak të largimit në opozitë, dha dorëheqje nga ky funksion dhe ende nuk është emëruar person tjetër në këtë post.
Derisa Taravari ishte ministër, premtoi që deri në fund të vitit 2024 ose fillim të vitit 2025, do të ketë punësime të reja, të cilat nuk u bënë.
Lidhur me këtë, ai sot përmes një statusi në Facebook, njoftoi se ka kërkuar me ngulm punësimin e tyre, po se VLEN e ka kundërshtuar.
“Arsyet pse kam lëshuar këtë Qeveri po bëhen gjithnjë e më shumë të qarta. Një rast i dhimbshëm është ai i motrave medicinale të spitalit të Tetovës të cilat janë pa vendim dhe pa rrogë.
I kërkoja me insistim punësimet e tyre por VLEN e kundërshtonte, sepse ata donin punësime partiake”, shkroi Taravari.
Ndërkohë, Agim Berisha është drejtor i përgjithshëm i Spitalit Klinik të Tetovës, i cili u emërua në korrik të vitit 2024. Pra tij, drejtor ishte Shpresim Ferati dhe Ilir Demiri.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës. Në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.