Azir Aliu pretendon se problemi është zgjidhur derisa punonjësit e Spitalit të Tetovës ende nuk kanë kontrata të përhershme  

Pavarësisht se Fondi i Sigurimit Shëndetësor dha mendim negativ për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu edhe sot ritheksoi se ky problem do të zgjidhet, por pa theksuar se kur konkretisht, sipas tij mbetet vetëm dhënia e testit administrativ. Nga opozita kritikojnë se ministri i mashtron punonjësit, shkruan Portalb.mk. 

Më 14 korrik, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka dhënë mendim negativ për sigurimin e mjeteve financiare në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës, shumica e të cilëve janë motra medicinale të cilat punojnë me kontrata në vepër me vite.  

Derisa rasti bëri bujë në media dhe opinion, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot realizoi takim me personelin mjekësor dhe drejtues të Spitalit Klinik të Tetovës, të cilëve ju premtoi se ky problem do të zgjidhet, por nuk tregoi se kur konkretisht. 

“Sot, pas një muaji e gjysmë, jemi të kënaqur që ata tashmë janë pjesë e Spitalit Klinik të Tetovës , 155 punonjës për të cilët kemi përfunduar procedurat administrative. Hapi i fundit tani është dhënia e testit administrativ, që të mund të nënshkruhen kontratat mes drejtorit dhe të punësuarve”, deklaroi Aliu. 

Personeli mjekësor theksoi se është në pritje të nënshkrimit të kontratave të përhershme. 

“Ky hap i rëndësishëm institucional përbën jo vetëm një njohje të drejtë të angazhimit tonë, por edhe  një fillim të ri drejt sigurimit të stabilitetit dhe të drejtave tona, me kalim nga kontratat në vepër në kontrata të përhershme”, tha infermierja Fjolla Alija në emër të të gjithë personelit. 

Infermieret thonë se nuk e dinë se si do të vijë procedura dhe se drejtori ju ka thënë se do i informojë. 

Nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit i cili ishte ministri paraprak i Shëndetësisë, theksojnë se Aliu  vazhdon të mashtrojë punonjësit shëndetësorë në Tetovë. 

Nuk ka kontrata të përhershme pa konkurs publik. Nuk ka buxhet të ndarë në rebalansin aktual për punësime të reja. Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka konfirmuar me shkrim se nuk ka mjete për këto punësime. Në sektorin publik, për çdo punësim apo transformim të vendit të punës, duhen ndjekur procedura të qarta ligjore, sipas Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, neni 34 (grupi 3, nëngrupi 1), si dhe nenet 41 dhe 44 të të njëjtit ligj. Po ashtu, është i domosdoshëm rebalansi i buxhetit – gjë që aktualisht nuk ekziston”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit. 

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete.

Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.